Dialogu Kosovë- Serbi, O’Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve humbje për të dyja palët

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Jim O’Brien ka komentuar takimet e djeshme në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Ai tha se moszbatimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar në të kaluarën janë një mundësi e humbur nga të dyja palët.

Ai nënvizoi se palët duhet që të angazhohen për të trajtuar problemet mes tyre në kuadër të dialogut të mundësuar nga Bashkimi Evropian.

“Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, tha O’Brien.

Në ndërkohë, në Bruksel dje janë mbajtur takimet e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell është takuar veç e veç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

E takim të përbashkët nuk pati.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell në fund të takimeve me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se takimi trilateral s’është mbajtur për shkak të Kurtit.

“Bisedat ishin të vështira siç kanë qenë gjithmonë dhe në fund skishte takim trilateral. Kosova s’ishte gati për këtë s’kishte vullnet për këtë takim trilateral. Serbia ishte gati ta bëjë. Por duhen dy për të vallëzuar tango” ka thënë ai.

Tutje Borrell ka thënë se aktualisht “marrëveshja mbetet e paimplementueshme”.

“Është e rëndësishme që të shkojmë përpara, por marrëveshja mbetet e paimplementueshme më shumë se një vit pasi ishte arritur. Dy palët janë përgjegjëse për mos përmbushjen e premtimeve që bënë. Mos-implementimi është humbje për të dy palët”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Kurti tha se që nga takimi i fundit që kanë pasur trepalësh, kanë ndryshuar shumë gjëra, duke filluar nga sulmi terrorist në Banjskë e deri tek letra për marrëveshjen bazike të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Kurti ka përmendur tri garancionet që i ka kërkuar në këtë takim.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë është dorëzimi i Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës”, tha Kurti. /GazetaSinjali/

Read Previous

Debati mes Trump dhe Biden, pa audiencë në sallë

Read Next

Samiti i BE-së: Zgjedhja e zyrtarëve të lartë të bllokut në agjendë