Detajet e Ministrit Maqedonci për raketat miliona dollarësh që pritet t’i blejë Kosova

Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Lajmi që fillimisht u tha të jetë konfirmuar nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në takimin që dje kishte me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u konfirmua më pas nga autoritetet në Kosovë dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH ka konfirmuar të enjten mbrëma për gazetën online Reporteri.net   se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

DASH-i po ashtu tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it.

Ndërkaq edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci konfirmoi se gjatë këtyre ditëve, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizimin me sistemin raketor anti-tank “Javelin” me efikasitet të lartë veprimi, që është i nevojshëm për FSK-në. Ai tha se kërkesa për armatim është adresuar kryesisht nga vitit 2020.

Maqedonci në RTK, tha se SHBA-të në vazhdimësi kanë qenë partneri kyç i Kosovës që e kanë përcjell në vazhdimësi zhvillimin e FSK-së dhe e kanë mbështetur tranzicionin e saj.

“Në vazhdimësi prej vitit 2019 kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar zbatimin e planit të tranzicionit ne kemi vendos planifikimin në vend në mënyrë që të adresojmë kërkesat e nevojshme për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë në mënyrë që të furnizojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të armatimit. Në këtë aspekt gjatë gjithë kësaj kohe, e veçanërisht pas vitit 2020 kur në qeverinë Kurti 1 ne kemi filluar të adresojmë kërkesat e bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes për blerje ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këto ditë siç u bë ditur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan kërkesën për sistemin “ Javelin” që është një sistem raketor anti-tank modern dhe me efikasitet të lartë dhe që është pjesë e inventarit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, ky vendim është i rëndësishëm veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në një forcë moderne dhe të gatshme për të realizuar detyrat e saj ndër të cilat është edhe mbrojtja e territorit.

Ai bëri me dije se programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera./Reporteri.net/

Read Previous

HRW: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

Read Next

Forcat Ajrore të ShBA-së japin detajet për goditjen e më shumë se 60 objektiva në 16 lokacione