Detaje të reja nga aksidenti i rëndë ku humbi jetën DJ shqiptar në Itali

Kanë dalë të tjera detaje nga aksidenti i rëndë që ndodhi më 31 Mars në Itali ku humbi jetën DJ me origjinë shqiptare nga Kosova. Hysni Qestaj njihej ndryshe me emrin “DJ Style Q”. Ai udhëtonte me një Ferrari bashkë me një vajzë në rrugën Torino-Aosta kur u aksidentua. Si pasojë humbën jetën të dy. E teksa Qestaj është identifikuar, deri më tani mbetet mister emri i viktimës tjetër.

Siç shkruajnë mediat italiane DJ Style Q sapo kishte përfunduar një mbrëmje në një lokal në Sion të Zvicrës. Sipas të njëjtave burime, ende mungojnë testet e ADN-së së dy viktimave, por autoritetet janë të sigurta se bëhet fjalë për Qestajn pasi është pronari i Ferrarit dhe trupi i tij i pajetë u njoh nga një anëtar i familjes të hënën e 1 Prillit.

40-vjeçari nga Juniku i Kosovës kishte marrë nënshtetësi zviceriane dhe jetonte prej vitesh në Villeneuve, në Kantonin e Vaud-it. Ndërkohë enigmë siç e përmendëm më sipër është identiteti i gruas në sediljen e pasagjerit. Mediat shkruajnë se e sigurt është që ajo nuk është bashkëshortja e DJ-it, pasi gjendet në Kosovë, aty ku jeton me dy fëmijët që ka me 40-vjeçarin, 14 dhe 11 vjeç.

DJ Style Q ishte shumë i njohur në Europë, sidomos në Zvicër, Gjermani e Shqipëri dhe në Amerikë.

Vëllai i tij, Agim Qestaj donte ta kujtonte atë me dashuri.

“Është e vështirë që ta përshkruaj këtë njeri të madh dhe pozitiv me fjalë, por nëse do të zgjidhja një fjalë do të thoja që ai ishte personi më i dashur që kam njohur”, tha ai për Blick.

Qestaj tregon se nuk e di si ka ndodhur aksidenti i tmerrshëm dhe nuk di gjë as për identitetin e viktimës së dytë.

“Për momentin nuk kemi marrë shumë informacione nga policia. Vëllai im tjetër që jeton në Itali po kujdeset për gjithçka”, tha Agimi.

Reagim ka patur edhe nga Komuna e Junikut ku u rrit Qestaj, duke e kujtuar në rrjetet sociale.

“Mëngjesi i ditës së sotme ishte i rëndë për Junikun. Në një aksident të rëndë trafiku, bashkëvendasi ynë Hysni Qestaj ka ndërruar jetë. Kryetari i komunës z.Ruzhdi Shehu dhe të gjithë qytetarët e Junikut ndajnë dhimbjen me familjen e të ndjerit. I ndjeri të kujtohet gjithmonë me respekt dhe dashuri”, deklaroi komuna në një njoftim.

Siç është transmetuar më herët, 40-vjeçari udhëtonte me 200 kilometra në orë në momentin e aksidentit. Për shkak edhe të lagështirës dyshohet se ai ka humbur kontrollin, është përplasur më pas me barrierat mbrojtëse dhe në fund ka shpërthyer në flakë. /tvklan.al

Read Previous

Aksidenti me 8 të vdekur në Këlcyrë, arrestohen 2 persona

Read Next

Ukraina ul moshën e mobilizimit ushtarak me dy vjet, nga 27 në 25