Dështon edhe tentimi i 16-të për konstituimin e Kuvendit

Edhe pas një muaji nga mbajtja e seancës së parë, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të konstituohet. Përpjekja e 16-të për ta bërë funksionale legjislaturën e nëntë përfundoi pa sukses. Lëvizja Vetëvendosje, edhe këtë herë, tentoi të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por nuk mori mbështetjen e partive të tjera parlamentare.

Seanca u ndërpre dhe është parashikuar të vazhdojë më 17 maj në orën 10:30.

Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive, përsëri u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë emrat për anëtarët e Komisionit Ad-hoc për votimin e fshehtë, por nuk pati përgjigje pozitive nga partitë tjera.

Në votimin për formimin e Komisionit morën pjesë 55 deputetë që votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Në seancë ishin të pranishëm gjithsej 111 deputetë.

Sot shënohet një muaj që nga nisja e procesit për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën prej 61 votash për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit. Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur një takim konsultativ me të gjitha partitë politike, i cili do të mbahet në orën 13:00.

Read Previous

Pezullohen tre deputetë pas protestës me “haka” në Parlamentin e Zelandës së Re

Read Next

Krasniqi: Haxhiu s’i ka marrë, s’i merr e as nuk do t’i marrë votat