Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga Kuvendi pasi ditën e martë dështoi të konstituohet legjislatura e nëntë.
Telegrafi nga burimet e veta ka marrë vesh se letra ka arritur sot në Presidencë, sipas këtyre burimeve, gjithashtu Presidenca pritet të kthejë një përgjigje për situatën e krijuar.
Ditën e martë, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.
Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk kaloi. 52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 abstenuan.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.
Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Kadri Kryeziu, në një deklaratë për Telegrafin, ka deklaruar se seanca duhet të vazhdohet brenda 48 orëve.
“Konceptualisht, përgatitjet kanë qenë që seanca të dështojë – si nga opozita, ashtu edhe nga partia në detyrë që ka më shumë vota. Partia që ka shumicën ka edhe përgjegjësinë më të madhe, dhe është dashur të komunikojë për të mundësuar konstituimin e Kuvendit,” u shpreh Kryeziu.
Sipas tij, në bazë të nenit 12, pika 5 të Rregullores së Kuvendit, seanca nuk duhet të ndërpritet përfundimisht, por duhet të vazhdojë brenda 48 orëve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë sot se si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, janë të interesuar që të ecin përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, dhe atë sa më parë, menjëherë.
“Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon: prej arrestimit të kriminelëve serbë, te digjitalizimi i arkave fiskale e te publikimi në Shkodër i projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës me 14 tunele, 43 ura, 7 stacione të reja dhe me gjatësi gati 106 kilometra”, tha ai.
Ndryshe, analistët e kanë cilësuar seancën e martë të mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës si një imazh të keq për vendin në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/