Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skender Zhitia, i cili ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara të Hagës në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte ka folur për librin e tij “Zona Operative e Llapit”.
Zhitia i cili po merret në pyetje nga Prokuroria, ka thënë se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellë mesazh të gabuar.
“E kam ribotuar librin në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë dhe prokurorë kanë shkoqitë fjalë nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, tha Zhitia.
Tutje, ai ka theksuar se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.
“Kishin për qëllim dëbimin e popullatës civile nga rajoni i Zonës Operative të Llapit, por është një operacion i bazuar në planin “Patkoi’ të Serbisë në atë kohë i cili filloi me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe ky operacion filloi nga zona Operative e Llapit”, shtoi.
Ndërkaq dëshmia e Zhitisë pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë, e që dy orë janë paraparë për pyetjet e Prokurorisë dhe rreth pesë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.
Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 79 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 80-të.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur në prill të vitit 2023. Të gjithë këta ishin arrestuar më 5 nëntor 2020, dhe gjenden në paraburgim që atëherë.
Ata akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të pretenduara kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.