Sot me fillim nga ora 17:00 në Palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë zhvillohet ndeshja e parë hapëse e xhiros së tetë në Superligën e basketbollit të Kosovës, ndeshje kjo e cila do të jetë përballja e parë e ciklit të dytë të ligës elitare të basketbollit vendor.
KB “Vëllaznimi” që në shtatë xhiro sa janë zhvilluar deri më tani i ka të regjistruara 3 fitore dhe 4 humbje, përballë do ta ketë KB “Peja” që aktualisht është skuadra e vetme që nuk e ka pësuar asnjë humbje në Superligën e basketbollit të Kosovës.
Gjakovarët në këtë ndeshje hyjnë me një motiv të lartë, ku përveç fitores që regjistruan xhiron e kaluar kundër Prishtinës, ata në ndeshjen që zhvillohet sot, ndeshje e cila për asnjërën nga këto dy skuadra nuk do të jetë e lehtë, do ta kenë edhe përparësinë e terenit vendas, ku pritet të mbizotërojë një atmosferë e jashtëzakonshme në Palestrën “Shani Nushi”.
Ndërsa, sot po ashtu skuadra e Bashkimit do të jetë nikoqire e KB “Ylli”, ku këto të dyja skuadra pas shtatë xhirove të zhvilluara kanë bilanc të njejtë prej 3 fitoreve e 4 humbjeve.
Kjo ndeshje zhvillohet sot me fillim nga ora 19:00, në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
/tvSyriVision/