Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj: Votimi i fshehtë nuk është antikushtetues

Lëvizja Vetëvendosje është ende në pritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës, përkundër refuzimit kategorik të partisë së Lumir Abdixhikut. Në LVV kërkojnë nga LDK-ja që “të mos sillet me arrogancë”, por të bashkëpunojnë për tejkalim të krizës politike në Kosovë, përmes marrëveshjes politike.

Sipas tyre, LDK-ja nuk duhet të jetë “as mish dhe as peshk”, por të marrë një pozicion të qartë, “të vijë me LVV-në ose të kthehet me PDK-në”.

Përkitazi me këtë, në partinë e Albin Kurtit janë kundër koalicionit qeverisës me PDK-në, pasi sipas tyre, e njëjta duhet të qëndrojë në opozitë edhe për një mandat.

Kosova, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit, që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress se parapëlqimi i tyre për koalicion qeverisës mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai është kundër koalicionit me PDK-në, ani pse ditët e fundit, zyrtari i lartë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, tha se do të votonte një koalicion me LVV-në.

Megjithatë, në hierarkinë udhëheqëse të PDK-së, vazhdimisht janë shprehur po ashtu kundër koalicionit me LVV-në.

“Ne parapëlqimin tonë e kemi dhënë, ne kemi thënë qartë se dy elektoratet tona, ai i LVV-së dhe LDK-së, janë shumë të afërta njëri me tjetrin. Derisa e kemi bërë këtë, kemi thënë se nuk kemi pëlqyeshmëri për PDK-në. Unë, zotëri Hoxhajn e respektoj në kuptimin e mendimit që ka dhënë, por natyrisht e dini edhe qëndrimin e zotëri Kurtit kur thotë se PDK-ja duhet të rrijë edhe një mandat në opozitë. Në këtë formë, ne tentojmë që të lidhim koalicion me LDK-në, e cila jo vetëm që po na refuzon, por refuzimi i saj ka kaluar në arrogancë. Ne kemi thënë se janë dy blloqe: LVV-ja, e cila ka fituar 42.2 për qind të votës shumicë, që i bie 47 për qind të votës shqiptare, dhe anën tjetër e ke PDK-në, e cila është partia e parë në opozitë. LDK-ja ose duhet të vijë me fituesin e zgjedhjeve ose duhet të kthehet me PDK-në. Këta rrinë në mes, dhe LDK-ja në këto momente nuk është ‘as mish as peshk”, thekson Rexhaj.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë aktgjykimin në lidhje me ngërçin në Kuvendin e Kosovës, ku, mes tjerash, ka obliguar deputetët që brenda tridhjetë ditëve të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Megjithatë, në aspektin e kushtetutshmërisë së votimit të fshehtë, Kushtetuesja ka lënë paqartësi, pasi partitë politike në Kuvend po interpretojnë në forma të ndryshme.

Rexhaj vazhdon të insistojë për nevojën e votimit të fshehtë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“Votimi i fshehtë nuk është antikushtetues, sepse unë si deputet kam të drejtë të votoj në dy mënyra: në mënyrë të hapur dhe të fshehtë. Konsideroj se vota ime duhet të jetë e fshehtë, atëherë nuk mund të ndalohet nga askush, pasi është gjykuar dhe paragjykuar shumë në këtë aspekt. Bllokada nuk mendoj se po bëhet me emrin e zonjës Haxhiu, por ne kemi filluar punën me bllokadë fillestare. Ju kujtohet kur deputetët refuzonin t’i votonin edhe mandatet e tyre. Bllokada ka filluar qysh këtu”, shton ai.

Përkitazi me këtë, Rexhaj është i bindur se LVV-ja, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të formojë qeverinë e re, përkundër se aktualisht nuk i kanë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Nëse konstituohet Kuvendi, ne do të shkojmë drejt formimit të qeverisë së re. Besoj se duhet të konstituohet, pasi është obligim i yni, i të gjithë deputetëve të zgjedhur, ku qytetarët na kanë bartur këtë përgjegjësi. Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, pastaj sigurisht se format sesi bëhen 61 votat për formimin e qeverisë i takon subjektit të parë, dhe aty jemi në sprovë dhe sfidë. Besoj se ne mund t’i bëjmë ato”, thekson Rexhaj.

Deputeti i LVV-së flet edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me Kosovën.

Trump së fundmi, disa herë ka thënë se ka ndaluar Serbinë të niste një luftë në Kosovë. Sipas Rexhajt, SHBA-ja dhe Trump duhet të insistojnë për një marrëveshje Kosovë–Serbi për normalizim të marrëdhënieve dhe përfundim sa më të shpejtë të dialogut.

“Nuk është asgjë e re në deklarimet e presidentit amerikan në lidhje me Kosovën. Ne e dimë qasjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Ata përherë kanë insistuar për një marrëveshje Kosovë-Serbi dhe një dialog që duhet të ketë përfundimin sa më të shpejtë. Trump ka folur në këtë aspekt, që dialogu Kosovë-Serbi të ketë një përfundim në kuptimin e një marrëveshjeje. Ndërkaq, ne i dimë të gjitha përpëlitjet dhe shkeljet e marrëveshjeve që i ka bërë përherë Serbia dhe sulmin terrorist në Banjskë”, përfundon Rexhaj. /KosovaPress/

Read Previous

Zbulohet kontrata marramendëse e LeBron James me Lakers

Read Next

18 vjet nga prezantimi i iPhone të parë që revolucionarizoi teknologjinë