Deputeti britanik David Lammy, ka thënë për mediumin britanik The Independent se situata në Veri ishte shqetësuese, por sipas tij, palët janë të hapura për dialog.
“Palët duhet të sigurohen që të mos ketë gjakderdhje. Natyrisht, ne duhet të sigurohemi që kjo nuk do të ndodh dhe dialogu mes dy palëve të vazhdojë”, tha Lammy.
Lammy, që ishte për vizitë në Kosovë më 6 janar të këtij viti, theksoi se kishte ardhur në Prishtinë për të parë se çfarë po ndodh dhe për të tentuar ta qetësojë situatën.
Ai ka takuar presidenten kosovare Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe anëtar të komunitetit serb.
Sipas tij, “të gjithë me të drejtë janë të tmerruar nga ajo që po ndodh në Ukrainë dhe është folur shumë se si Evropa nuk ka parë një konflikt të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Por ne duhet të kujtojmë konfliktin e tmerrshëm që ndodhi në Ballkan, humbjen e tmerrshme të jetëve si dhe abuzimin e të drejtave të njeriut. Unë personalisht pashë disa shembuj pikëllues të vuajtjeve në këtë udhëtim, gra që janë të mbijetuara të sulmeve seksuale që kishin ndodhur gjatë luftës”.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për rolin që luajti Britania e Madhe dhe Tony Blair në sigurimin e lirisë së Kosovës. Është një trashëgimi e politikës së jashtme të laburistëve, së bashku me marrëveshjen e paqes të Irlandës së Veriut, për të cilën ne jemi jashtëzakonisht krenarë”, tha ai.
Në fillim të këtij viti, Lammy është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurtin, pas takimeve me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.
Në këtë takim kryeministri kishte kërkuar që të rritet bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
“Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Deputeti britanik ofroi gatishmëri për bashkëpunim dhe theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën. /Albanianpost.com