Një ish-analist i CIA-s i cili zbuloi dokumente të klasifikuara në lidhje me planet e Izraelit për të sulmuar Iranin është dënuar me 37 muaj burgim.
Asif William Rahman, 34 vjeç, u deklarua fajtor në janar për dy akuza për mbajtje dhe transmetim të qëllimshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare sipas Aktit të Spiunazhit.
Autoritetet kanë thënë se duke përdorur autorizimin e tij të sigurisë në nivel të lartë, Rahman ka shtypur, ka fotografuar dhe dhe ka dërguar dokumente tepër sekrete. Më vonë ato kanë përfunduar duke qarkulluar në mediat sociale, raporton BBC.
Izraeli ka kryer sulme ajrore ndaj Iranit tetorin e kaluar, duke synuar vende ushtarake në disa rajone, në përgjigje të breshërisë së raketave të lëshuara nga Teherani javë më parë.
“Për muaj të tërë, ky i pandehur tradhtoi popullin amerikan dhe betimet që bëri kur hyri në zyrën e tij duke zbuluar disa nga sekretet më të ruajtura të Kombit tonë”, ka thënë John Eisenberg, ndihmës prokuror i përgjithshëm për sigurinë kombëtare, në një njoftim për shtyp.
Në tetor 2024, dokumente që dukej se ishin nga një agjenci e Departamentit të Mbrojtjes ishin botuar në një llogari Telegrami të lidhur me Iranin.
Dokumentet, që mbanin një shenjë tepër sekrete, mund të shikoheshinnga aleanca e inteligjencës “Five Eyes”, e përbërë nga SHBA-ja, Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.
Dokumentet e rrjedhura thuhet gjithashtu se përmbanin vlerësimin e SHBA-së për planet izraelite përpara sulmit ndaj Iranit dhe lëvizjet e aseteve ushtarake në përgatitje.
Njëri prej tyre i referohej aftësive bërthamore të Izraelit, të cilat nuk janë pranuar kurrë zyrtarisht.
Kur është pyetur për rrjedhjen e informacionit, ish-presidenti Joe Biden ka thënë se ishte “thellësisht i shqetësuar”.
Izraeli përfundoi duke kryer ato sulme ajrore më vonë gjatë muajit, duke synuar vende ushtarake në disa rajone në përgjigje të raketave të lëshuara nga Teherani disa javë më parë.
Rahman, i cili ka punuar jashtë vendit, ishte arrestuar nga FBI-ja në Kamboxhia dhe ishte sjellur në territorin amerikan të Guamit për t’u përballur me akuzat./koha.net/