Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, teksa e ka komentuar dënimin e ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj me tre vite burgim, ka thënë se nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por për 97 milionë euro.
“Nuk bëhet fjalë për 53 milion por për 97 milionë euro. Përveç 53 milion euro Bechtel Enka është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milionë euro”, ka shkruar ai në Facebook.
“Edhe pse kontrata ka qenë “llamsam” (me çelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milionë euro shtesë.
Ndryshe, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim efektiv në rastin e 53 milionëshit ku të akuzuar përveç ish-ministrit të Infrastrukturës ishin edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Sipas Gjykatës, Lekaj është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të Kosovës. /Albanianpost.com