Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Ben-Meir: Apelimi duhet të jetë kryesisht një proces juridik
Profesori amerikan Alon Ben-Meir ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka vlerësuar se apelimi i këtij aktgjykimi duhet të jetë proces juridik.
Në një intervistë për “Zërin”, ai ka thënë se ekipet mbrojtëse në këtë proces do të duhej të identifikojnë gabimet ligjore që kanë ndodhur në shkallen e parë.
“Apelimi duhet të jetë kryesisht një proces juridik i udhëhequr nga të akuzuarit dhe ekipet e tyre mbrojtëse. Detyra e tyre do të jetë të identifikojnë gabimet e pretenduara në ligj ose në vlerësimin e fakteve nga Trupi Gjykues dhe t’i kundërshtojnë ato përmes procedurave të përcaktuara nga gjykata”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Institucionet politike të Kosovës duhet të jenë të kujdesshme të mos e zëvendësojnë argumentin juridik me presion politik. Çdo kundërshtim juridik duhet të mbështetet përfundimisht në provat e administruara në proces dhe në ligjin e zbatueshëm e jo në protesta ose deklarata politike. Ndërkohë, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të bëjnë një dallim të qartë ndërmjet procedurave kundër ish-krerëve individualë të UÇK-së dhe çështjeve më të gjera që lidhen me luftën e Kosovës për çlirim, pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, ka vlerësuar ai. /Nacionale/