Sipas një infografike të publikuar nga organizata joqeveritare “Democracy Plus” është cituar që sipas tyre që Komuna e Gjakovës ka lejuar kurdisjen e tenderëve.
Në postitim e kësaj organizate thuhet se :
“Komuna e Gjakovës në tenderin për Ndërtimin dhe sanimin e rrugëve me kubëza betoni fillimisht shpalli fitues grupin e kompanive Udha SHPK & Fidani-Beton SHPK me çmim 575,474.55 euro.
Para nënshkrimit të kontratës, konsorciumi është ftuar që të dorëzojë dëshmi se nuk është në vonesë të pagesës së taksave, nuk është në vonesë në pagesë të tatimit në pronë, nuk ka qenë i falimentuar dhe të dorëzojë sigurimin e tenderit në formën origjinale. Konsorciumi ka dështuar të dorëzojë këto dëshmi në afatin të dhënë nga komuna.
Sipas Ligjit për Prokurim Publik (LPP), nëse kompania e rekomanduar për kontratë nuk plotëson kërkesat më lartë, vazhdohet me kompaninë e dytë që është e përgjegjshme. Kompania e dytë në këtë tender është NTP Fidani-L. Kjo kompani fitoi kontratën me çmim 626,653.15 euro.
Dallimi në çmim është 51,178.60 euro. Mirëpo, të dy kompanitë Fidani-Beton SHPK dhe NTP Fidani-L sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrim të Biznesit në Kosovë (ARBK) kanë adresë të njëjtë. Kontratat e punëtorëve për dy kompanitë janë nënshkruar nga Durim Beqiraj në cilësinë e Menaxherit. Po ashtu, në faqen e Fidani Beton në Facebook, uebfaqja e saj është www.fidanil.com.
Pra, vërehet se kemi të bëjmë me kompani të njëjtë dhe se tenderi ka qenë i kurdisur që të fitojë kompania e njëjtë, por me ofertë për mbi 50,000 euro më të shtrenjtë.
Sipas LPP:Dështimi në dorëzim të dokumenteve të tilla, tenderi i tij do të refuzohet dhe AK do të vazhdoj me tenderuesin e listuar në vendin e dytë, si dhe do të konfiskohet sigurimi i tenderit nëse e njëjta është kërkuar dhe AK do të inicioj procedurën për diskualifikim ne përputhje me nenin 99.2 të LPP-se.
Infografika më poshtë tregon se si Komuna e Gjakovës ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë, pra nuk ka kërkuar që kompania fillimisht e shpallur fituese të futet në Listë të Zezë.”