Delegacioni i Dinamo Zagrebit sot vjen në Kosovë

Një delegacion i Dinamo Zagrebit do të qëndrojë për tri ditë në Kosovë. Gjatë kësaj vizite pritet të nënshkruhet kalimi i tre talentëve në këtë skuadër të famshme kroate si dhe nënshkrimi i Dinamos me një klub të Superligës, për investime kryesisht për punën me talentët, të cilët në të ardhmen mund të kalojnë nga futbolli i Kosovës në klubin më të madh të Kroacisë.

Një lajm i mirë për sportin e Kosovës, konkretisht për futbollistët e rinj që ëndërrojnë kalimin në futbollin evropian, është se një delegacion i klubit të madh kroat, Dinamo Zagreb, do ta vizitojë Kosovën. Ky delegacion do të mbërrijë sot (e premte) në vendin tonë dhe do të qëndrojë tri ditë, kurse do të mbajë edhe një konferencë për medie të shtunën në Pejë.

Përfaqësuesi i agjencisë “Nora Sport 196”, Fadil Berisha, njëherësh trajner i futbollit, ka thënë se delegacioni i klubit kroat në vendin tonë vjen me ftesën e Nenad Gavrilloviç, i cili është edhe themelues i agjencisë “Nora Sport 196”. “Kemi një ngjarje mjaft të rëndësishme për futbollin dhe talentët tanë, pasi përfaqësues të klubit të Dinamo Zagrebit vijnë në Kosovë dhe të shtunën në Hotel ‘Dukagjini’’ në Pejë nga ora 11:00 do të mbahet konferencë për medie ku do t’i shpalosim detaje të tjera lidhur me këtë vizitë”, ka thënë Berisha për “Epokën e re”. “Në vendin tonë vjen Vlado Kasalo, që është dora e djathtë e kryetarit të Dinamos, Velimir Zaec dhe dy bashkëpunëtorë. Kasalo ka qenë lojtar i Osijekut, Dinamo Zagrebit, FC Nurnbergut dhe Mainz 05 si dhe reprezentues i Kroacisë”, ka deklaruar Berisha.

Berisha më pas ka bërë me dije se tre futbollistë janë afër nënshkrimit me Dinamo Zagrebin me të cilët punon personalisht. Bëhet fjalë për 19-vjeçarët Vigan Berisha, Dajlon Ramadani dhe Olsi Tabaku. “Kemi mjaft talentë në futbollin tonë, vetëm se duhet të punojmë më shumë dhe të jemi të përkushtuar dhe të vëmendshëm kur kemi të bëjmë me talentët. Gjithmonë kemi pasur talente, por pas pranimit të futbollit në arenën ndërkombëtare, normalisht se është më lehtë që futbollistët nga Kosova të depërtojnë drejt Evropës”, ka shtuar Berisha./Epoka e Re

Read Previous

Ushtria izraelite vret gabimisht pesë ushtarë të vet

Read Next

Diell e vranësira sot në Kosovë