Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, ka dhënë një intervistë për “Globoesporte”, ku ka analizuar situatën aktuale të klubit blaugrana dhe ka pranuar menaxhimin e gabuar nga ana e klubit ndaj talentit Vitor Roque, një nga blerjet e para të realizuara nga vetë drejtori sportiv portugez.
“Nuk mendoj se kemi ditur ta mbrojmë siç duhet Vitor Roque. Nuk kemi gabuar në planifikim, sepse Robert Lewandowski ishte 34-35 vjeç në atë kohë dhe ne po mendonim që në atë moment për pasardhësin e tij në të ardhmen. Për këtë arsye e blemë Vitor. Transferimi i tij nuk ishte aq i kushtueshëm sa pretendojnë mediat. Për mua gjithçka u komplikua, sepse ai u detyrua të vinte në janar dhe kjo e dëmtoi”.
Vitor Hugo Roque Ferreira, i lindur në vitin 2005, luajti 16 ndeshje dhe shënoi 2 gola me fanellën e Barcelonës gjatë pjesës së dytë të sezonit 2023-2024. Më pas u transferua në huazim te Betis dhe në fund u ble përfundimisht nga Palmeiras më 28 shkurt.
Drejtori sportiv i katalanasve shtoi gjithashtu se është mjaft optimist për të ardhmen: “Kemi ekuilibër të mirë, si në mbrojtje, ashtu edhe në mesfushë. Ka lojtarë që ende kanë hapësirë për t’u përmirësuar.
Si Gavi, që po rikthehet nga një dëmtim, por do të përmirësohet ndjeshëm me përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Është edhe Marc Bernal, i cili gjithashtu ka qenë i dëmtuar. Kemi Araújo dhe Dani Olmo, me të cilët po punojmë që të shmangin dëmtime të tjera”. /Telesport.al/