Debutimi me Barcelonën, flet Szczesny

Tre muaj pas nënshkrimit të tij nga Barcelona si zëvendësues emergjent i Marc-André ter Stegen, i dëmtuar afatgjatë, Wojciech Szczesny debutoi me fanellën blaugrana në ndeshjen hapëse të ekipit këtë sezon në Kupën e Mbretit, kundër Barbastros. Barcelona siguroi kualifikimin për në 1/8 finale me fitoren e thellë 4-0. Portieri polak nuk e fshehu që as skenari dhe as kundërshtari nuk ishin idealë, por u shpreh shumë i kënaqur për debutimin e tij:

“Kam pritur tre muaj për të debutuar te Barcelona dhe shpresoja të mos kisha nevojë ta bëja kurrë. Ndihem mirë. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse fitorja ishte përgjegjësia jonë dhe mund të bënim vetëm gabime. Megjithatë, arritëm ta shmangnim këtë. Është pak ndryshe, sepse jam një ish-lojtar që u rikthye në futboll, por nuk pata probleme me përqendrimin. Po ashtu, arrita të ruaja qetësinë. Nuk pata shumë mundësi për ta humbur përqendrimin, gjithçka shkoi mirë”.

Portieri polak pati praninë e disa prej anëtarëve të familjes së tij në shkallët e stadiumit të Barbastros: “Ishte diçka e veçantë. Ky debutim ishte i veçantë për shumë arsye. Duhet ta pranoj se kurrë nuk kam luajtur në një fushë më të keqe, por të dyja ekipet luajtën në të njëjtën fushë dhe ishte e drejtë. Vëllai im erdhi posaçërisht nga Polonia. E gjithë familja e pa ndeshjen në televizion. Nuk e prisja që gjëra të tilla mund të ndodhnin pas karrierës sime të gjatë”.

Një tjetër arsye krenarie për Szczesny ishte debutimi së bashku me bashkëkombësin e tij, Robert Lewandowski: “Kjo është diçka e re. Unë jam nga Varshava, edhe Robert është nga Varshava. Asnjëri prej nesh nuk e imagjinonte se do të arrinim të shihnim dy polakë te Barcelona. Ky është një skenar unik. Nuk e imagjinoja kurrë diçka të tillë. Shpresoj ta kem bërë mirë punën time”.

Portieri polak, tani shpreson të ketë më shumë mundësi për të luajtur: “Kaluam në raundin tjetër dhe shpresoj të kem një tjetër mundësi për të treguar vlerat e mia dhe për të luajtur në kushte pak më të mira”. /Telesport.al/

Read Previous

Slot: Kontributi i Salah te Liverpool-i është i paçmueshëm

Read Next

Sekuestrohen 50 fishekë në Aeroportin e Prishtinës