Përpjekja e radhës nga Milani për të transferuar Ardon Jasharin ka dështuar përsëri. Klubi belg, Club Brugge, ka refuzuar edhe ofertën e re të kuqezinjve.
Sipas gazetarit belg Sacha Tavolieri, oferta e rritur e Milanit prej 38 milionë eurosh nuk ka bindur drejtuesit belgë, të cilët vazhdojnë të mbeten të palëkundur në qëndrimin e tyre.
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, kishte deklaruar më herët se klubi nuk do të shkonte më lart me ofertën financiare për Jasharin.
Mesfushori kosovar pati një sezon të jashtëzakonshëm me Brugge. Ai luajti në 52 ndeshje, duke kontribuar me 4 gola dhe 6 asistime. Kulmi i sezonit për të ishte fitimi i Kupës së Belgjikës, ndërsa u shpall edhe lojtari më i mirë i sezonit nga klubi.
E ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, por një gjë është e sigurt – Club Brugge nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga ylli kosovar.