Clinton: Në veri të Kosovës të marrë fund marrëzia, Shqipëria t’i tregojë botës për të ardhmen gjithëpërfshirëse

Tashmë pa pushtet politik, por Bill Clinton pranoi se në Shqipëri po flet në emër të Amerikës.

E në emër të Amerikës, ai përçoi disa mesazhe të fuqishme për rajonin.

Clinton – nga fjalimi në podiumin e vendosur në Kryeministrinë e vendit – pranoi se të gjithë aleatët duhet të jenë bashkë kur bëhet fjalë për të mbështetur Shqipërinë.

Ndonëse e di faktin se kjo e fundit ka probleme me ekonominë e saj apo dialogimin e brendshëm, ai theksoi se e vlerëson pasi ka bërë përparime dhe se “fundja jemi njerëz”.

“E di që keni ende probleme ekonomike, jemi të vetëdijshëm se ka sfida për të cilat duhet tu bashkohen të tjerët për t’iu ndihmuar. Jeni njerëz, nuk mund të jeni të përsosur”.

Former U.S. president Bill Clinton and Albanian Prime Minister Edi Rama listen to their national anthems during a welcoming ceremony at Prime Minister office in Tirana, Albania, July 3, 2023. REUTERS/Florion Goga

Për burrështetasin amerikan Shqipëria është e gatshme t’i tregojë botës se si duket një e ardhme gjithëpërfshirëse.

Nuk u ndal me kaq.

Me mesazhet e tij pozitive, Clinton u shpreh se “nuk dëshiron që të nënvlerësoni kurrë fuqinë e shembullit tuaj”, pasi Shqipëria mund të jetë në anën e duhur të historisë dhe në anën e duhur të njerëzimit.

Ai i kërkoi Qeverisë shqiptare që të vazhdojë kështu, pasi “na duhen modele të tilla”.

Falënderimet, emocionet dhe vlerësimet nuk munguan. Madje ai e cilësoi “dhuratën” e Shqipërisë më me vlerë se nderi.

Ama, kur bëhet fjalë për Kosovën, shtet të cilit Clinton me vendimin e tij i fali lirinë, situata paraqitet ndryshe.

Ai u shpreh i keqardhur, madje uroi që mos të kishte ndodhur kurrë situata e tensionuar që ka marrë jetë në Kosovë.

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë dhe do të doja të mos ndodhte kurrë”.

Kështu – me një historik të situatës – Clinton u shpreh se nuk ishte vendim i tij, por i kosovarëve për të krijuar ato “katër komuna në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër”.

Ai ravijëzoi se votimi ishte një gabim dhe se “tani është e lehtë për shqiptarët në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre”.

Por teksa fliste për situatën në veri të Kosovës, Clinton përmendi edhe liderë që preferojnë dominancën.

E megjithatë historia ka parë edhe modele ndryshe. Shembulli më i prekshëm, është ai i ish-presidentit të Afrikës së Jugut Nelson Mandela. Ai fliste për ideale për të cilat ishte “ i gatshëm dhe të vdiste”.

Në një linjë të ngjashme me të ishte dhe Clinton nga Tirana. Megjithëse në rrethana e kushte të ndryshme historike, ish-presidenti amerikan solli në vëmendje tiparin e Mandelës: atë të gjithëpërfshirjes.

Ndoshta rajoni jonë nuk ka qenë aq me fat sa drejtuesit e shteteve të veshin mantelin e “heroit”. Dhe aq më pak Kosova.

Teksa në 2019-n, në 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s Clinton ndihej krenar për Kosovën, tashmë disa vite më vonë ai bëri thirrje që të “ndalohet kjo marrëzi e krijuar”. Kjo referuar situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Ai u shpreh se asnjë çështje e madhe politike nuk mund të trajtohet duke pasur këtë tension.

“Çfarë çështje e madhe politike mund të krijohet duke pasur këtë tension, qytetarët ka nevojë që t’u thuhet u duhet të votojnë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern shkencor, ku modelohet sjellje që po e nxit botën sot, pasi drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit”.

E këtu, ai e mbylli temën e Kosovës pikërisht duke i bërë thirrje Shqipërisë që të tregojë se si duhet një e ardhme gjithëpërfshirëse. /Albanianpost.com

Read Previous

Begaj uron Pavarësinë e Amerikës: Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë me SHBA-të

Read Next

Meta lanson të enjten aplikacionin që do të rivalizojë Twitter-in