Cliff: Çfarë po bën BE-ja me raportin e Kosovës për sulmin në Banjskë?

Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, në seancën Komisionit për Punë të Jashtme mbi rrjedhën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, kërkoi përgjigje nga Bashkimi Evropian (BE) për raportin e dorëzuar nga Kosova për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore.

“Ne duhet të pyesim miqtë tanë në BE se çfarë kanë bërë me raportin e qeverisë së Kosovës. Ai është dorëzuar në Bruksel në janar, ndërsa tani jjemi në mes të marsit. Çfarë po bëjnë ata për këtë?Unë nuk e kam parë raportin. Por unë mendoj se ne duhet të mbajmë një qëndrim shumë të vendosur për këtë”, deklaroi diplomati britanik që shërbeu në Kosovë mes 2011-2015.

Qeveria e Kosovës ka thënë se u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës – Millan Radoiçiç, porse asnjë lëvizje nuk është bërë akoma në këtë drejtim.

BE-ja nga ana tjetër ka përsëritur se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë, ku mbeti i vrarër një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë. Nga blloku në mënyrë të përsëritur kanë theksuar se qëndrimi për ngjarjen mbetet i pandryshuar derisa të pranojnë raportin.

Duke qenë se në këtë fazë nuk dihet akoma nëse ndonjë prej shteteve perëndimore ka kryer hetime për sulmin terrorist të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj megjithatë kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm. /Albanianpost.com

Read Previous

Demiraj: SHBA është e vendosur ta kthejë Shqipërinë në qendrën e gjeopolitikës në Ballkan

Read Next

Nis takimi Hovenier – Bislimi