Mbi 3.2 milionë euro dhe mbi 500 mijë euro shmangie tatimore dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Kështu thuhet në aktakuzën ndaj tij të ngritur të më 19 gusht të këtij viti nga Prokuroria Speciale të cilën e ka siguruar Albanian Post.
“Për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro”, thuhet në aktakuzë.
Me gjithë akuzat ndaj tij, në letrën e tij përshëndetëse pasi u shkarkua nga pozita në fund të muajit prill të këtij viti, Krasniqi në platformën e tij në “LinkedIn” pati theksuar se nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë “disa gjurmë të mira”.
“Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur”, pati shkruar ai.
“Po ashtu lamë prapa disa njerëz vërtetë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimit dhe përfundimisht do ta kompletojnë transformimin”.
Pas shkarkimit të Krasniqit, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës, Bekir Gërgurin./Albanianpost.com