Të gjithë sytë janë kthyer nga Stambolli duke pritur bisedimet për fundin e pushtimit 3-vjeçar të Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar të enjten rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me Ukrainën në qytetin turk që shtrihet në Azi dhe Evropë. Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka sfiduar liderin e Kremlinit që të takohej personalisht në Turqi.
Ajo që do të ndodhë mbetet e paqartë. Kremlini ka refuzuar të konfirmojë se kush do të shkojë në Turqi dhe nëse delegacioni do të udhqhiqet nga Putini. Ndërkaq, Zelensky, ka thënë se ai do të ulet vetëm me liderin rus.
Zelensky ka deklaruar të martën se “nëse Putini nuk arrin dhe luan lojëra, kjo shënon pikën e fundit që ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës”.
Si lindi ideja e bisedimeve në Turqi?
Të shtunën, Zelensky ka pritur presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin polak, Donald Tusk në një shfaqje uniteti. Të gjithë liderët lëshuan një thirrje të koordinuar për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë duke filluar nga e hëna.
Plani ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte premtuar gjatë fushatës së tij për t’i dhënë fund me shpejtësi luftës që tani është në vitin e saj të katërt.
Udhëheqësit u zotuan për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë nëse Putini nuk e pranonte propozimin.
Megjithatë, në komentet për mediat herët të dielën, Putini e ka refuzuar ofertën dhe ka propozuar rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta “pa parakushte” me Ukrainën, në Stamboll në vend të kësaj. Ai nuk ka specifikuar nëse parashikonte që bisedimet të përfshinin Zelenskyn dhe atë personalisht, apo me zyrtarë të nivelit më të ulët.
Zelensky është përgjigjur duke këmbëngulur për një armëpushim dhe duke thënë se do të udhëtojë në Turqi, teksa e ka sfiduar Putinin të bëjë të njëjtën gjë.
“Unë do të pres Putinin në (Turqi) të enjten. Personalisht. Shpresoj që këtë herë rusët të mos kërkojnë justifikime”, është shprehur ai.
Kush shkon dhe pse?
I nxitur nga gazetarët me pyetjen se kush do të përfaqësojë Rusinë në Stamboll, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka refuzuar të thoshte ndonjë emër, duke theksuar se Putini e kishte përshkruar mjaft qartë pozicionin e Rusisë.
Administrata e Trumpit ka nisur bisedime të veçanta me Rusinë dhe Ukrainën në Arabinë Saudite në mars. Por ditëve të fundit, administrata ka paralajmëruar po ashtu se mund të tërhiqet nga procesi nëse nuk arrihet përparim i prekshëm. Trumpi ka thënë të hënën se është optimist për bisedimet.
“Ekziston potenciali për një takim të mirë midis Putinit dhe Zelenskyt”, ka thënë Trumpi në Uashington.
Ai ka deklaruar fillimisht se ishte “duke menduar për të udhëtuar atje” pas vizitës së tij në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por më vonë ka deklaruar se sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe të tjerë nga SHBA-ja do të shkojnë në Turqi për bisedime.
E Zelensky ka thënë të martën se do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në kryeqytetin Ankara dhe do të presë atje. Nëse lideri rus zgjedh Stambollin për takimin, sipas Zelenskyt, atëherë ai dhe Erdogani do të udhëtojnë atje.
Nëse Putini nuk vjen, liderët evropianë dhe amerikanë duhet të vazhdojnë me sanksione shtesë kundër Rusisë, ka thënë Zelensky.
Çfarë ndodhi në bisedimet në Stamboll në 2022?
Kremlini i ka cilësuar bisedimet e së enjtes si një “rifillim” të negociatave të paqes në Stamboll në vitin 2022, në fillim të luftës, që u shpërbënë shpejt. Moska kishte fajësuar Ukrainën dhe Perëndimin për dëshirën e tyre të pretenduar për të vazhduar luftën, ndërsa Kievi kishte thënë se kërkesat e Rusisë përbënin një ultimatum, dhe jo diçka për të cilën palët mund të bien dakord reciprokisht.
Zelensky ka thënë se kërkesat e delegacionit rus atëkohë përfshinin njohjen e Ukrainës të kontrollit rus mbi Donbasin, një zonë në Ukrainën lindore që përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk; amendamentet kushtetuese për të shpallur neutralitetin; një reduktim i ndjeshëm i forcave të armatosura të Ukrainës; dhe dorëzimin e armatimit me rreze të gjatë.
“Nuk ka pasur kurrë negociata, ishte një ultimatum nga një vrasës”, ka thënë presidenti ukrainas në vitin 2022.
E Putini ka akuzuar Ukrainën për prishjen e një marrëveshjeje paqeje për të cilën u ra dakord në thelb dhe përfshinte klauzola të statusit neutral dhe jobërthamor të Ukrainës dhe detaje se sa do të reduktohej ushtria e saj.
“Autoritetet e Kievit … thjesht i hodhën të gjitha. Ata e refuzuan këtë”, kishte deklaruar Putini në vitin 2023.
Kremlini ka thënë vazhdimisht se “marrëveshjet e Stambollit” mund të shërbejnë si bazë për bisedimet e mëtejshme të paqes. Pasi Moska aneksoi ilegalisht rajonet ukrainase të Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia në shtator 2022, autoritetet ruse filluan të thonë se Kievi gjithashtu duhet të njohë “realitetin në terren”.
Cilat janë kërkesat e të dyja palëve për t’i dhënë fund luftës?
Putini vitin e kaluar ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë katër rajonet, të cilat ajo ende nuk i kontrollon plotësisht. Ai gjithashtu dëshiron që Kievi të njohë si rus Gadishullin e Krimesë, gjithashtu i aneksuar ilegalisht nga Moska në vitin 2014; Ukraina gjithashtu duhet të heqë dorë nga kërkesa e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe të zvogëlojë në mënyrë drastike ushtrinë e saj. Ai gjithashtu kërkoi që Perëndimi të heqë sanksionet e vendosura ndaj Moskës pas pushtimit.
Kievi, nga ana tjetër, ka refuzuar të lëshojë ndonjë copë tokë dhe kërkon garanci të forta sigurie kundër agresionit të ardhshëm të mundshëm nga Rusia.
Ndërkohë Trumpi, i cili është angazhuar në një përpjekje të gjerë diplomatike për t’i dhënë fund luftës që nga marrja e detyrës, ka thënë se Krimea “do të qëndrojë me Rusinë”. Ai ka thënë gjithashtu se Kievi nuk ka gjasa të anëtarësohet ndonjëherë në NATO.
Çfarë po ndodh në fushën e betejës?
Të dyja palët po përgatisin një ofensivë të motit të ngrohtë në fushën e betejës, ku lufta, e cila tashmë është në vitin e saj të katër, ka vrarë dhjetëra mijëra ushtarë në të dyja anët përgjatë vijës së frontit rreth 1000 kilometra.
Instituti për Studimin e Luftës, një institut kërkimor në Uashington, thotë se Rusia “po i rimbush me shpejtësi njësitë e vijës së parë, me rekrutë të rinj, për të ruajtur dominimin në fushën e betejës”.
Në vitin 2024 dhe kohët e fundit, trupat ruse kanë bërë përparime të ngadalta por të qëndrueshme në disa seksione përgjatë frontit.
Putini ka thënë në mars se trupat ruse po dominojnë përgjatë vijës së kontaktit. Ndërkaq, Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po vonon bisedimet e paqes, në përgatitje për ofensiva më të mëdha.
Muajin e kaluar, forcat e Moskës kanë deklaruar gjithashtu se kanë rimarrë plotësisht pjesë të rajonit të Kurskut të Rusisë në kufi me Ukrainën, të cilat forcat e Kievit i kapën në një inkursion të befasishëm në gusht të vitit 2024. Kievi e ka mohuar pretendimin, por vazhdimisht ka humbur terren atje pasi Moska, e ndihmuar nga ushtarët koreano-veriorë, punoi për t’i larguar ato dhe për ta lënë Ukrainën pa asnjë “çelës” në bisedimet e paqes.
Disa përpjekje për të vendosur të paktën një armëpushim të pjesshëm kanë qenë të pasuksesshme.
Rusia ka refuzuar efektivisht një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor. Kremlini në vend të kësaj ka shpallur dy armëpushime të shkurtra, të njëanshme në dy muajt e fundit: një për 30 orë në Pashkë dhe një tjetër për 72 orë që të përkojë me festimet e Ditës së Fitores së Luftës së Dytë Botërore të Rusisë.
Në të dyja rastet, Kievi dhe Moska akuzuan njëri-tjetrën për dështimin për të ndalur luftimet.
Rusia dhe Ukraina gjithashtu u zotuan në mars për një ndalesë 30-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike që u ndërmjetësua nga administrata Trump. Mirëpo, të dyja palët akuzuan vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje masive deri në skadimin e masës./Koha.net