Pensionet janë burimi kryesor i të ardhurave për të moshuarit në Evropë, sipas raportit të OECD-së “Pensionet në një vështrim 2023”.
Në shumë vende evropiane, transfertat publike – të tilla si pensionet dhe përfitimet shtetërore – përbëjnë mbi 70 për qind të të ardhurave totale bruto të familjeve të të moshuarve, duke tejkaluar 80 për qind në disa raste.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimi mesatar i pensioneve për përfitues për pensionet e pleqërisë ishte 16 mijë e 138 euro në BE. Kjo është e barabartë me afërsisht 1 mijë e 345 euro në muaj kur ndahet në 12 muaj.
Ato varionin nga 3 mijë e 611 euro në Bullgari në 31 mijë e 385 euro në Luksemburg brenda BE-së. Kur përfshihen vendet kandidate të EFTA-s dhe BE-së, diapazoni zgjerohet – nga 1 mijë e 648 euro në Shqipëri në 35 mijë e 959 euro në Islandë.
Pensioni mesatar i pleqërisë për përfitues tejkaloi gjithashtu 30 mijë euro në dy vende nordike: Norvegji dhe Danimarkë. Ishte gjithashtu dukshëm mbi mesataren e BE-së në Suedi (22 mijë e 436 euro) dhe Finlandë (21 mijë e 85 euro).
Përveç Shqipërisë, vendet kandidate të BE-së kanë pensionet mesatare më të ulëta. Këto përfshijnë Turqinë (2 mijë e 942 euro), Bosnjë dhe Hercegovinën (3 mijë e 41 euro), Serbinë (3 mijë e 486 euro) dhe Malin e Zi (3 mijë e 962 euro).
Mali i Zi renditet pak mbi Bullgarinë, por vetëm me një diferencë të vogël. Këto janë shifra vjetore, jo mujore, që tregojnë hendekun e gjerë midis niveleve më të ulëta dhe më të larta të pensioneve në Evropë.
Ekonomitë e “Katër të Mëdhave” të BE-së renditen radhazi, të gjitha mbi mesataren e BE-së. Italia kishte pensionin mesatar më të lartë midis tyre me 19 mijë e 589 euro, e ndjekur nga Franca (18 mijë e 855 euro), Spanja (18 mijë e 100 euro) dhe Gjermania (17 mijë e 926 euro).
Pabarazitë në pensionet mesatare janë dukshëm më të ngushta kur maten në standardet e fuqisë blerëse (PPS) krahasuar me termat nominalë.
Për shembull, brenda BE-së, raporti midis pensionit mesatar më të lartë dhe më të ulët është 8.8 në terma nominalë, por bie në 3.5 në PPS, duke reflektuar ndryshimet në kostot e jetesës.
Në BE, shpenzimet mesatare për pensione për përfitues varionin nga 5 mijë e 978 PPS në Sllovaki në 21 mijë e 162 PPS në Austri.
Kur përfshihen vendet jo-anëtare të BE-së, Shqipëria kishte shifrën më të ulët me 3 mijë e 19 PPS./Euronews