Si do të luajë Shqipëria kundër Ukrainës? Këtë e di vetëm një person: Sylvinho. Trajneri i kombëtares shqiptare deklaroi se ndeshja me Ukrainën do të jetë e ashpër dhe teknike.
Ai shtoi se kjo do të jetë një ndeshje e hapur, prandaj mund të presim disa gola në “Air Albania”. I pyetur për skemën që do të përdorë, Sylvinho u shpreh: “Ne përshtatim skemat sipas karakteristikave të lojtarëve. Stafi punon për të kuptuar cilësitë e secilit prej tyre”.
“Ne kemi lojtarë të fortë dhe mund të përshtasim skema të ndryshme, pa u varur te një sistem i vetëm. Është e vështirë për të parashikuar. Nesër pres të shohim një lojë teknike dhe shumë të hapur. Ukraina ka lojtarë të shpejtë dhe cilësorë, kështu që mund të presim një ndeshje të fortë”.
“Ne do të luftojmë patjetër. Duam një rezultat pozitiv dhe do të japim maksimumin tonë për të gëzuar tifozët kuqezi, të cilët gjithmonë na kanë mbështetur, brenda dhe jashtë stadiumit”. /Telesport.al/