Charles Michel: Liderët e bllokut do të rishikojnë marrëdhëniet BE-Izrael

Marrëdhëniet BE-Izrael do të shqyrtohen më nga afër në të ardhmen, tha presidenti në largim i Këshillit Evropian Charles Michel në një intervistë për European Newsroom (enr).

“Herët a vonë do të jetë një debat më serioz”, tha Michel duke veçuar Marrëveshjen e Asociimit BE-Izrael si një temë për shqyrtim.

“Nëse BE-ja dëshiron të ndjekë ndikimin global, blloku duhet të shmangë kurthin e standardeve të dyfishta”, tha Michel – pasi u pyet se si duhej të trajtoheshin akuzat se BE-ja nuk e kundërshtonte Izraelin për të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar në të njëjtën mënyrë që bënte me Rusinë.

Ai theksoi se blloku kishte kërkuar vazhdimisht që të respektohej ligji ndërkombëtar.

“Nëse BE-ja dështon ta bëjë këtë, blloku do të humbasë aftësinë e tij për të bindur pjesën tjetër të botës – se ajo që po bën Rusia në Ukrainë është e gabuar”, tha Michel.

“Duhet të pranoj se ka pasur vështirësi në rënien dakord të 27 vendeve të BE-së për një vlerësim të përbashkët të asaj që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe çfarë jo”, tha Michel.

Sipas Michel, disa liderë të BE-së diskutuan marrëveshjen e asocimit me Izraelin në një samit javën e kaluar në Bruksel. Ai vuri në dukje se ministrat e jashtëm të BE po diskutonin tashmë marrëveshjen tregtare.

Mes kritikave për sjelljen e Izraelit në ofensivat e tij në Rripin e Gazës dhe Liban, në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit dhe Hezbollahut, Michel beson se bisedimet e nivelit të lartë të BE-së janë të mundshme për kufizimet e ardhshme në bashkëpunimin politik dhe ekonomik me Izraelin.

Spanja dhe Irlanda i kanë bërë thirrje më parë Komisionit Evropian të rishikojë pajtueshmërinë e Izraelit me ligjin ndërkombëtar dhe detyrimet për të drejtat e njeriut sipas marrëveshjes tregtare BE-Izrael.

Marrëveshja e asocimit ndërmjet BE-së dhe Izraelit mbulon industrinë, energjinë, transportin dhe turizmin. /ATSH-DPA/

Read Previous

39 aktakuza dhe 18 persona të ndaluar brenda 24 orëve

Read Next

Çfarë është Sindroma Kessler dhe sa rrezik është për Tokën?