Zjarr masiv në Spanjë: Raportohet për persona të vdekur, të lënduar e të zhdukur
Një zjarr masiv ra mbrëmjen e së enjtes në Valencia dhe si pasojë, kanë mbetur të vrarë të paktën 4 persona, janë lënduar 13 të tjerë, mes tyre edhe 6 zjarrfikës, si dhe 19 njerëz të tjerë raportohen të zhdukur.
Zjarri ra në dy godina, për shkaqe ende të panjohura, por u përhap me shumë shpejtësi, si pasojë e materialeve që ndodheshin në këto godina.
Presidenti Zelensky i kërkon ShBA që të miratojë paketën e ndihmës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka bërë edhe njëherë thirrje Kongresit Amerikan që të aprovojë ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke synuar kështu mbrotjen kundër forcave ruse. Ai argumentoi se kjo ndihmë është më e lirë se pasojat që mund të sjellë triumfi i Rusisë.
Zelensky paralajmëroi se Putin mund të futet edhe më thellë në Europën Lindore, nëse ia del të pushtojë Ukrainën, gjithashtu, i bëri thirrje Donald Trump, i cili është kandidat për president që të vizitojë shtetin dhe ta shohë nga afër “tragjedinë”.
Joe Biden takon gruan dhe vajzën e të ndjerit Alexei Navalny
Joe Biden ka takuar Yulia dhe Dasha Navalnaya, gruan dhe vajzën e opozitarit të ndjerë, Alexei Navalny në San Francisco. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Cindy Saine, presidenti Biden vlerësoi veprën dhe guximin e Alexei në luftën e tij për një Rusi të lirë dhe demokratike.
Nga ana tjetër, SHBA vendosi sanksione të reja kundrejt Rusisë dhe Biden u shpreh se “Putin duhet të paguajë”. Sanksionët u vendosën pas vdekjes së mistershme të Alexei në burgun “Ujku Polar”, pranë Arktikut.
Fermerët në Poloni në protestë: Mund të bllokojnë rrugën kufitare me Gjermaninë
Fermerët në Poloni u shprehën se do të bllokojnë rrugën kyçe në kufi me Gjermaninë, në vazhdën e protestave kundër rregulla europiane dhe importeve të lira, të cilat i cenojnë drejtpërdrejt në sipërmarrjet e tyre.
Protestuesit po planifikojnë bllokimin e autostradës kyçe A2, që lidh Varshavën dhe Berlinin. Kjo mund të zgjasë për 24 orë dhe do të shkaktojë kaos në vend, ndërsa ata tanimë kanë bllokuar edhe kufirin me Ukrainën.
Fermerët në Poloni janë kundër “Marrëveshjes së Gjelbër të Bashkimit Europian” për energjinë, transportin dhe taksat. Kjo marrëveshje, sipas bllokut, synon të ulë emetimet e gazrave serrë, por fermerët janë goditur edhe nga rritja e taksave dhe rregullave të tjera./Anabelmagazine/