Çfarë po ndodh në botë?

Kryeministri i Spanjës kërkon ndihmë nga BE pas përmbytjeve katastrofike në vend

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar Spanjën të rikuperohet nga përmbytjet katastrofike, të cilat ai i cilësoi si “përmbytjet më të rënda këtë shekull”. Gjatë një konference për shtyp në Madrid, Sanchez deklaroi se qeveria spanjolle është në komunikim me Komisionin Evropian dhe ka nisur procedurat për të kërkuar ndihmë nga Fondi Evropian i Solidaritetit dhe nga burimet e tjera të ndihmës komunitare.

Përmbytjet kanë shkaktuar deri tani 211 viktima dhe kanë lënë disa zona në gjendje të rëndë. Qeveria pritet të shpallë një “gjendje katastrofe” të martën, gjë që do të mundësojë akses të shpejtë në fondet financiare të emergjencës. Sanchez shprehu mbështetje për të gjithë të prekurit. Ai theksoi edhe rëndësinë e solidaritetit në përpjekjet e rimëkëmbjes.


Sulmet ajrore izraelite shkatërrojnë Dahiyeh në Liban

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Forcat ajrore të Izraelit sulmuan gjatë natës zonën Dahiyeh në jug të Bejrutit, duke shkatërruar shumë ndërtesa në disa lagje. Dhjetëra orë pas sulmeve, tymi vazhdonte të ngrihej nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, sulmet ajrore izraelite në verilindje të vendit kanë marrë të paktën 45 jetë. Pavarësisht presionit të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe nga pjesë të tjera të komunitetit ndërkombëtar për një armëpushim në Gaza dhe Liban, sulmet izraelite kundër grupit Hezbollah janë zgjeruar.

Ministria e Shëndetësisë libaneze raportoi se mbi 2,800 njerëz kanë humbur jetën dhe më shumë se 13,000 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollah filloi të lëshojë raketa në mënyrë të përditshme ndaj Izraelit, duke shkaktuar reagimin e ashpër të këtij të fundit. Ndërkohë, në Gaza, zyrtarët palestinezë të shëndetësisë konfirmojnë se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit ka shkaktuar mbi 43,000 viktima.


Rusia kritikon Turqinë për furnizimin me armë për Ukrainën

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh se është “i habitur” që Turqia vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë, ndërsa njëkohësisht ofrohet si ndërmjetësuese në konfliktin midis dy vendeve. Si një vend anëtar i NATO-s, Turqia ka përpiqur të mbajë një ekuilibër mes Ukrainës dhe Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Ndërsa Ankaraja mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe ka dërguar dronë dhe pajisje të tjera ushtarake në ndihmë të këtij vendi, Turqia gjithashtu ka forcuar lidhjet energjetike me Rusinë dhe ka kundërshtuar sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Lavrov, në një intervistë për gazetën turke Hürriyet, tha se “armët turke po përdoren nga forcat e armatosura ukrainase për të vrarë ushtarët rusë dhe civilët,” duke kritikuar qëndrimin e dyfishtë të Turqisë. Përkundër kësaj, presidenti turk, Recep Tayyip Erdo?an, ka sugjeruar vazhdimisht organizimin e bisedimeve për paqe midis dy vendeve, por Ukraina ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër bisedimeve direkte me Rusinë.


Japonia dhe BE nënshkruajnë një marrëveshje për sigurinë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Japonia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një partneritet të rëndësishëm për sigurinë, i cili përfshin stërvitje të përbashkëta dhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, mes tensioneve të rritura në rajonin Indo-Paqësor për shkak të aktiviteteve ushtarake të Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u takua me ministrin e Jashtëm japonez, Takeshi Iwaya, në Tokio, si pjesë e një turneu në Azinë Lindore që përfshin edhe Korenë e Jugut, ku ai do të zhvillojë një dialog strategjik.

Ky partneritet me Japoninë shënon marrëveshjen e parë të sigurisë që BE-ja nënshkruan me një vend të rajonit Indo-Paqësor, duke reflektuar angazhimin në rritje të BE-së në këtë zonë strategjike. Borrell e cilësoi marrëveshjen si një “hap historik dhe shumë të përshtatshëm për situatën në të dy rajonet tona,” duke theksuar përforcimin e sigurisë përballë sfidave të përbashkëta./anabel

Read Previous

Apple kryeson tregun global të tabletave

Read Next

Interi nuk vlerësoi si duhet shkallën e lëndimit të Asllanit