Tiranë/ 63-vjeçari pi fotoksinë para zyrave të SPAK
Pal Trashaj, 63 vjeç, ka konsumuar fotoksinë para dyerve të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duke gjetur vdekjen. 63-vjeçari nga Lezha thoshte se kishte kallëzuar në prokurori disa persona me pozitë të lartë, ish-ministra e deputetë për problematikat e lidhura me prona dhe s’kishte marrë zgjidhje.
Trashaj u dërgua menjëherë në spital, por gjendja e tij u rëndua dhe u raportua se ai kishte pirë 3 kokrra fotoksinë. Pal Trashaj ishte paraqitur tek oficeri i informacionit dhe kishte kërkuar një takim me një prej hetuesve, për një çështje që i përkiste prokurorisë që prej vitit 2022.
Vdekja e Ismail Kadare/ Homazhe madhështore në vend
Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, përcillet sot në banesën e fundit. Ai u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88-vjeçare. Homazhet madhështore do të kryen në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe për ta nderuar shkrimtarin, do të mblidhen krerë të lartë të vendit e personalitete të rëndësishëm të kulturës nga Shqipëria e Kosova.
Gjithashtu, për humbjen e një shkrimtari kaq të madh, janë vendosur ditë zie nga Shqipëria e Kosova dhe flamujt janë ulur në gjysmështizë.
Pakistan/ 18 persona arratisen nga burgu
18 persona të burgosur në një burg në Kashmir, në Himalaje, janë arratisur. Ngjarja ka ndodhur më 1 korrik dhe është raportuar më vonë. Mes të arratisurve, ka edhe persona të dënuar me vdekje, njoftojnë zyrtarët dhe gjatë arratisjes, një prej të burgosurve u vra, pasi u qëllua për vdekje.
Nisur nga kjo ngjarje, një udhëheqës i burgut dhe ca oficerë u larguan nga detyra. Arratisja e tyre përbën rrezik për komunitetin, pasi 3 të burgosur ishin të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 6 prej tyre, me vdekje.
Zvicër/ 4 njerëz humbin jetën si pasojë e motit të ashpër
Moti i ashpër në Zvicër ka shkaktuar jo vetëm dëme në infrastrukturën e vendit, por edhe 4 viktima. Tragjedia ka bërë që banorët të kenë dilema nëse mund të përballohen stuhitë e ardhshme, të cilat me shumë gjasa, do të vijojnë të godasin vendin.
3 persona humbën jetën nga rrëshqitjet e dheut në luginën Maggia, ndërsa një tjetër burrë u gjet i pajetë në lumin Rhone. Moti i vështirë ka bërë që lumi të dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur autostradën dhe linjën e hekurudhave./Anabelmagazine/