Cilat janë stadiumet më të mira në Evropë? Cili qëndron në krye? Dhe, si është renditja e 10 më të mirëve? Këtyre pyetjeve iu ka dhënë përgjigje “Calcio e Finanza” (C&F) duke marrë në shqyrtim 140 impiantet sportive më të njohura në futboll.
Analiza e kryer shqyrton mbi 140 nga stadiumet, duke ekzaminuar kapacitetin e tyre, mesataren e golave për ndeshje dhe angazhimin në rrjetet sociale. Vleresimi është bërë me pikë, me 100 që është maksimumi.
Nga renditja e 10 stadiumeve, tre prej tyre janë në Gjermani, dy në Angli dhe nga një në Skoci, Spanjë, Itali, Francë, Poloni.
Stadiumi më i mirë në Evrope është shpallur “Celtic Park” në Gllasgou, Skoci, duke marrë një vlerësim me 80.74 pikë. Në vendin e dytë vjen “Wembley”, në Londer, me 79.45 pikë. Podiumi mbyllet me “Old Trafford”. “Teatri i Ëndrrave” në Mançester ka marrë 73.98 pikë.
“Santiago Bernabeu” i Real Madrid-it renditet në vendin e katërt me 71.91 pikë. Pas tij vjen stadiumi i vetëm italian në top 10-she, “San Siro”, me 70.63 pikë.
“Narodowy” në Poloni është cilësuar si stadiumi i gjashtë më i mirë në Evropë me 70.13 pikë. “Mercedes Benz Arena” në Berlin dhe “Allianz Stadium” në Mynih janë në pozitën e shtatë dhe të tetë, përkatësisht me 69.33 dhe 69.25 pikë.
Në vendin e nëntë renditet stadiumi kombëtar i Francës “Stade de France”, në Paris, me një vlerësim 68.93 pikë. Dhe, në vendin e 10 gjendet “Olympiastadion” në Berlin, me 67.15 pikë.
Nëse i referohemi raportit për stadiumet në të gjithë botën, në “top 10”, vendi i parë “kapet” nga stadiumi “Mineirao” në Bello Horizonte në Brazil, me 83.40 pikë. “Celtic Park” gjendet i dyti në këtë listë dhe “Wembley” i treti.
Vendi i katërt ka një emër të ri, stadiumi “MetLifte” në Nju Jork, SHBA, me 79.03 pikë. Meksika përfaqësohet me dy stadiume, përkatësisht në vendin e pestë, “Olimpico Universitario” me 78.05 pikë, dhe vendin e gjashtë, stadiumi “Azteca” me 75.82 pikë.
“Old Traford” në renditjen botërore ka zbritur në vendin e shtatë. Pas tij vjen stadiumi “Gelora Bung Karno” në Xhakarta të Indonezisë me 72.52 pikë.
“Santiago Bernabeu” zhvendoset në vendin e nëntë, teksa në fund të “top 10” qëndron stadiumi “Gillette” në Foxborough, SHBA, i vlerësuar me 70.82 pikë. /Albanianpost.com