Çështja e liberalizimit të vizave, ministri i Jashtëm i Çekisë gjatë kësaj jave viziton Kosovën

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian së shpejti do të rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave, ndërkaq lidhur me këtë çështje gjatë kësaj jave në Kosovë do të jetë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky. 

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës, shkruan Euractiv.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, tha Lipavsky, cituar nga Agjencia Çeke e Lajmeve.Reklama

Pritet që tema për liberalizimin e vizave të jetë në tryezë në vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij se Kosova është e gatshme për këtë.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga vendet anëtare gjatë vjeshtës”, shpjegoi ministri çek.

Për të miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare, që përfaqësojnë 65 për qind të qytetarëve të BE-së.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë gjithashtu se Kosova do të aplikojë për t’u bërë kandidat në BE deri në fund të vitit 2022. 

/Telegrafi/

Read Previous

​Osmani: Kthehemi në vendlindje me bindjen e plotë se Kosova është në rrugë të drejtë

Read Next

44 raste aktive me COVID-19 në Kosovë