CEO i Al Hilal: Klubet saudite mirëpresin me entuziazëm një ftesë për të marrë pjesë në Champions League-n e UEFA

Klubet e futbollit saudit do të mirëpresin me entuziazëm një ftesë për të marrë pjesë në Champions League-n e UEFA-s, tha CEO i Al Hilal.

Klubi i Riyadh-it është një nga gjigantët aziatikë dhe aktualisht kryeson Ligën Pro Saudite, pavarësisht mungesës së superyllit Neymar, i cili po rekuperohet pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të përparmë.

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin përjashtoi mundësinë e përfshirjes së skuadrave saudite në kompeticionin kryesor të Evropës vitin e kaluar, por këto deklarata nuk kanë minuar interesin e klubeve nëse skenari ndryshon në të ardhmen.

“Nuk e kam idenë se sa e mundur është, por do të isha budalla të thosha se nuk do të më pëlqente”, tha CEO i Al Hilal, Esteve Calzada në The Summit, një ngjarje që u zhvillua si pjesë e Javës së Liderëve në Londër. “Aspirata jonë është që ta sjellim produktin tonë para sa më shumë njerëzve dhe Champions League është ndoshta kompeticioni më i rëndësishëm i klubeve në botë”, tha ai.

Një kompeticion në të cilin do të luajë patjetër Al Hilal është Kupa e re e Botës për Klube e FIFA-s.

Ngjarja me 32 ekipe ishte në fakt katalizatori për dy padi në Evropë për shkak të frikës se ligat lokale mund të gjymtoheshin, si dhe për shëndetin e lojtarëve.

“Sigurisht që nuk mund të them se nuk do të na pëlqente. Por sa realiste është, sa e mundur është, nuk e di dhe është krejtësisht jashtë kontrollit tim”, shtoi Calzada.

Calzada dhe Al Hilal i shohin gjërat shumë më pozitivisht dhe, në të vërtetë, duan më shumë mundësi për të luajtur kundër ekipeve evropiane.

“E kuptoj shqetësimin për numrin e ndeshjeve, por ndoshta është kompeticioni më i rëndësishëm i sezonit për ne”, tha ai. “Është një mundësi e shkëlqyer për të projektuar veten në botë dhe gjithashtu për të parë nivelin tonë në krahasim me këto ekipe evropiane. Sa më shpesh të luajmë kundër ekipeve evropiane, aq më mirë”, përfundoi ai. /Calcio e Finanza/Albanian Post/

Read Previous

Emra të mëdhenj po largohen nga Apple, a është Tim Cook i radhës?

Read Next

Kosova nënshkruan marrëveshje kinematografike me Bullgarinë