Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është “banalitet dhe absurditet” që ta mohoj se ministria që e drejton ia ka ndarë organizatës që dikur e drejtonte ky i fundit “Ec Ma Ndryshe”, 257 mijë euro edhe pse pjesë e saj ishte vëllai i tij Fati.
“Është banalitet dhe absurditet në vete më dalë me thënë që nuk ia kam dhënë vëllait mbi 200 mijë euro”, tha ai në një intervistë në ATV të mërkurën, derisa ka shtuar se beson që denoncimi për “hajni” është në mbrojte të së mirës publike.
“Çështja e vëllait është shumë specifike si akuzë nga një qytetar në Facebook i cili tha se ministri ia ka dhënë vëllait mbi 200 mijë euro. Akuza ishte shumë direkte. Atë status e mora e printova dhe dërgova në polici te Departamenti i Hetimeve dhe Agjencia Kundër Korrupsion për ta trajtuar”, ka shpjeguar ai.
“Organizatat që unë kam punuar për shumë vite janë shumë. Nga viti 2017 kur unë u angazhova në Shqipëri janë ndërprerë angazhimet e mia, deri atëherë kam punuar në organizata të ndryshme jo qeveritare”, ka shpjeguar Çeku.
Tutje, ai është mundur që t’i arsyetojë ndarjen e mjeteve për ish-organizatën që e ka drejtuar, duke thënë se kishte marrë fonde edhe nga qeveritë paraprake.
“Këto organizata ku unë kam punuar janë financuar edhe më herët nga Qeveria edhe para se të isha unë ministër. Subvencionet ndahen sipas rregullores së ministrisë dhe sipas asaj nuk merr pjesë në komision ministri dhe as këshilltarët”, potencoi ai.
Ndryshe, Albanian Post ka raportuar në fund të muajit të kaluar se në listën preliminare të organizatave joqeveritare që janë përfituese të thirrjes publike “Art dhe trashëgimi kulturore”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, figurojnë disa organizata që janë të lidhura me eksponentë të pushtetit.
Njëra prej tyre është organizata “Ec Ma Ndryshe”, të cilën e kishte udhëhequr Çeku.
I angazhuar në këtë organizatë ishte edhe vëllai i tij, Fati Çeku. Kësaj organizate Qeveria ia ndau 257 mijë euro.
Ky nuk është rasti i vetëm kur nga thirrjet publike që i bën pushteti, përfitues janë njerëz të afërt me pushtetin.
Nga fondi prej 500 mijë eurosh të destinuara nga Zyra e Kryeministrit për OJQ dhe media të minoriteteve, përfitues i 5 mijë eurove kishte qenë Mentor Barani, vëllai i gruas së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Për shkak të shpërndarjes jo të duhur të këtyre mjeteve, dhe për shkak se ankesat e saj nuk ishin marrë parasysh, kishte dhënë dorëheqje nga zyra për Komunitete, Elizabeth Goëing, këshilltare e kryeministrit Kurti./Albanianpost.com