Ceferin rikthehet të flasë për Super Ligën, ‘sulmon’ edhe Kupën e Botës për Klube

Champions League e re, Kupa e Botës për Klube me 32 ekipe dhe Super League. Të tre turnetë, me tre organizatorë të ndryshëm, ishin objekt i një interviste të gjatë të dhënë nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin për gazetën angleze “Telegraph Sport”.

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit deklaroi se një nga arsyet pse e përjashtoi finalen e Champions League të zhvillohej jashtë Evropës ishte pikërisht reagimi për rastin e Super League-s.

“Tifozët kanë treguar aq shumë respekt për futbollin sa nuk do të bënim kurrë diçka të tillë ndaj tyre”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dhjetorin e kaluar ndezi panik në UEFA pasi rregullat e këtij organi që ndalonin ligat e shkëputura u konsideruan “të paligjshme”.

“Njoftimi për shtyp ishte mashtrues. Nuk ka asgjë në vendimin e Gjykatës që të tregojë abuzim të monopolit tonë. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe ne u ankuam në Gjykatë, por ju nuk mund ta ndryshoni efektin e parë”, shtoi kreu i UEFA-s.

Pasi kishte kohë për të studiuar vendimin e plotë, slloveni e përshkroi atë si “jo të keq për futbollin”.

“Ajo që është më e rëndësishme për mua është se i gjithë komuniteti i futbollit e refuzoi këtë. Asnjë gjykatë nuk mund ta detyronte botën e futbollit të merrte pjesë në këtë kompeticion. Askush”, u shpreh Ceferin.

“Unë ende insistoj që kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë sepse do të kishte shkatërruar futbollin. Dhe ne nuk do ta lejojmë, askush nuk do ta lejojë në futboll. Nuk mund të blesh futbollin”, vijoi ai.

Presidenti i UEFA-s nuk ka frikë se skuadrat mund ta përdorin vendimin si levë në negociatat e ardhshme me Federatën Evropiane të Futbollit, të cilat nuk mund të bllokojnë më arbitrarisht garat e shkëputura dhe ka premtuar se nuk do të marrë pjesë në asnjë iniciativë që i pengon ekipet të kualifikohen për Champions League bazuar vetëm në rezultatet kombëtare.

Përpara nisjes së formatit të ri të kompeticionit sezonin e ardhshëm, i cili do t’i garantojë çdo klubi të paktën tetë ndeshje në një grup të vetëm bazuar në “modelin zviceran”, ai shtoi: “Mund të them se sistemi i ri i Champions League është këtu për të qëndruar dhe nuk po planifikojmë asgjë më shumë. Dhe ne nuk do ta bëjmë sepse tani ngarkesa e lojtarëve dhe gjithçka tjetër është në kufi”.

Kjo barrë është përkeqësuar gjithashtu nga FIFA për nisjen e Kupës së re të Botës për Klube me 32 ekipe, e cila do të zhvillohet çdo katër vjet duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Kam qenë kundër propozimit që të organizohet çdo vit. Sepse nuk ka kuptim. Nuk mendoj se ka kuptim edhe çdo katër vjet. Por skuadrat e duan atë”, tha slloveni.

Duke hedhur poshtë kërcënimin e ngjarjes së re për dominimin e kompeticionit të tij kryesor, Ceferin përfundoi: “Champions League është Champions League dhe do të mbetet Champions League. Një turne çdo katër vjet nuk më shqetëson”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kreu i OKB-së: Mbi 2 milionë palestinezë po përballen me kushte çnjerëzore

Read Next

Fermerët francezë bllokojnë autostradat