Caritasi zviceran e ndihmon MZhR me një shumë prej 2.6 milionë eurove

Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe CARITAS-i Zviceran nënshkruan të hënën marrëveshje bashkëpunimi për një periudhë tre vjeçare për të kontribuar në avancimin e zhvillimit rajonal socio-ekonomik në Kosovë.

Ky bashkëpunim ndërlidhë fusha të caktuara të cilat MZhR do t’i mbështesë në kuadër të dy projekteve që implementon Caritasi Zvicerian: projektit “Yeni”, që ka të bëjë me ndikimin mjedisor të të rinjve dhe projektin “MARDI” që ka për qëllim veprimin Komunal për Riintegrim dhe Diasporë.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se si ministri janë të përkushtuar për të ndërmarrë të gjitha veprimet përkatëse për të përmbushur detyrimet që dalin nga këto dy projekte.

Damka: Do të mbështesim fushën e integrimit, gjenerimit të të ardhurave dhe ndryshimeve klimatike

“MZhR dhe CARITAS-i në rrjedhojë të kësaj marrëveshje do të mbështesin fushat e bashkëpunimit në fushën e integrimit, gjenerimit të të ardhurave dhe ndryshimeve klimatike. Ky projekt, i cili vendoset për një periudhe tre vjeçare implementimi, MZHR do të kontribuojë me bashkëfinancim në vlerën prej 40 përqind të vlerës totale, ku vlera totale është 2.6 milionë. Ky bashkëfinancim do të mbështesë projektet kapitale, bizneset, ngritjen e kapaciteteve si dhe kosto tjera administrative apo të burimeve njerëzore në kuadër të objektivave që kanë këto projekte”, tha ai.

Drejtori i CARITAS-it zviceran, Gerard Schaumberger, tha se do të japin mbështetjen e nevojshme për implementimin e projekteve që dalin nga kjo marrëveshje.

Schaumberger: Fokus i veçantë do t’u jepet komunave dhe zhvillimit rajonal

“Jemi të lumtur që kemi një marrëveshje të tillë me MZhR-në. E vlerësojmë besimin që është vënë mbi ne dhe iu sigurojmë që ne do ta ofrojmë vlerën që nevojitet për këto projekte. Këto dy projekte vijnë në kohën e duhur për temat sikurse janë ndryshimet klimatike dhe migrimi… Ne e mirëpresim fillimin e projekteve në vitin 2022 ku fokus i veçantë do t’u jepet komunave dhe zhvillimit rajonal. Me projektin e migrimit të diasporës ne dëshirojmë t’i japim shtytje edhe investimeve të diasporës, nëpërmjet këtij financimi publik”, tha ai.

Cartitasi Zvicerian do të ofrojë mbështetje teknike në formën e ekspertizës në procesin e përmirësimit të Strategjisë së Zhvillimit Rajonal, përmes hartimit dhe zbatimit të projekteve.

Read Previous

MPJ jep të dhënat e fundit rreth shtetasve të Kosovës që ndodhen në Afganistan

Read Next

Raporti i spitalit “Isa Grezda”