Çanak: Serbia praktikisht e njohu Republikën e Kosovës

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Canak, ka thënë se Serbia me njohjen e dokumenteve të identitetit të Kosovës, praktikisht e ka njohur Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj thelbësor mbi atë territor.

Vendimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të njohur dokumentet e Kosovës, shtoi Çanak, është një “lëvizje korrekte e detyruar”.

Çanak theksoi për agjencinë Beta se ka kohë që është e qartë, që nga viti 1999, se udhëheqja e Republikës së Serbisë do të bëjë gjithçka, përveçse “të pranojë se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Burimi i tensioneve në Ballkan vështirë se është i qëndrueshëm në terma afatgjatë dhe ishte plotësisht e qartë se do të bëhej një marrëveshje e qëndrueshme me Kosovën. Meqenëse pala kosovare insistonte në konceptin e reciprocitetit, ishte e pritshme që Serbia të duhej të njihte dokumentet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur nëse presidenti Vuçiç do t’i njohë edhe targat RKS, Çanak shtoi se nuk ka dallim në mes të njohjes së letërnjoftimeve dhe targave dhe se është logjike që qeveria t’i njohë targat RKS.

“Meqë Rubikon është kapërcyer, është çështje kohe që të njihen edhe targat RKS. Pres gjithashtu që targat KM të mos ndalohen, gjë që do ta dëmtojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ashtu si Vuçiçin e lëndojnë letërnjoftimet e Kosovës, po ashtu edhe Kurti do të lëndohet nga targat serbe”, tha ai.

Çanak tha se njohja e pavarësisë së Kosovës ul tensionet në Ballkan “të cilat janë të nevojshme për Kremlinin në këtë moment”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kremlini: Nuk mund të dërgojmë gaz natyror në Evropë për shkak të sanksioneve

Read Next

Borrell: Duhet të arrijmë një marrëveshje për ndalimin e vizave për rusët