Camaj: Për dy muaj, rreth 1400 qytetarë nga komunat veriore aplikuan për pasaportë të Kosovës

116 mijë qytetarë kanë aplikuar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për t’u pajisur me pasaportë brenda këtyre dy muajve, ndërsa interesim për marrje të pasaportës biometrike kanë shfaqur edhe qytetarët serbë në veri të vendit.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.

Ai ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe pas liberalizimit të vizave, ka pasur mbi 1 mijë e 400 qytetarë nga komunat veriore që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë. Ndërsa në total vetëm në katër komuna veriore, është rreth 7 mijë.

“Kërkesat kanë qenë në rritje. Tani situata vetëm ka filluar me u stabilizu nga fundi i muajit shkurt. Në muajin janar janë diku rreth 71 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta dhe në muajin shkurt diku rreth 45 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta”, tha Camaj.

Materiali i nevojshëm për pasaporta tashmë nuk është edhe problematik pasi sipas Camajt, ka material të mjaftueshëm. Megjithatë, për shkak të ndërrimit të lokacionit nga objekti i “Gërmisë” në “Rilindje”, iu ka shkaktuar pak vështirësi derisa sistemi është stabilizuar.

“Material kemi mjaftueshëm, por linja e prodhimit është e tillë që i prodhon 2 mijë pasaporta në ditë, por presim nga muaji mars të ndërrojmë vijën e prodhimit dhe të rrisim kapacitetin e prodhimit. Vështirësi nuk kemi, kemi pasur dy ditë probleme pak me sistemin se e kemi bërë bartjen nga objekti i ‘Gërmisë’ dhe kemi kaluar në ‘Rilindje’, dhe kur ndërrojnë sistemet, ato paraqesin probleme, por megjithatë prodhimi tani është stabilizuar”, tha Camaj.

Krahas interesimit për marrje të pasaportave në komunat tjera, interesim goxha të madh kanë shprehur edhe qytetarët në veri të vendit. Sipas Camajt, 7 mijë serbë janë pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

“Edhe qytetarë të komunave veriore kanë shfaqur interesim të madh për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës. Vetëm në muajt janar dhe shkurt, nga katër komunat veriore kanë aplikuar diku rreth 1 mijë e 400 qytetarë. Në total, vetëm në katër komunat veriore, janë të pajisur diku rreth 7 mijë qytetarë me pasaportë biometrike”, tha kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.

/klankosova/

Read Previous

Dy përballje zhvillohen sot në basketbollin vendor

Read Next

Tri ndeshje interesante për titull luhen sot në Superligë