Byrnes: S’kam parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i përfshirë në ndonjë krim

Ish shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes në Dhomat e Specilizuara të Kosovës (DhSK), në ditën e tretë të dëshmisë së tij ka thënë se asnjëherë s’kanë pranuar prova që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar ndonjë rrëmbim apo krim që ka ndodhur në terren.

Akuzat ndaj tyre, sipas tij vazhdojnë të jenë vetëm pretendime.

“Më lejoni të jem i qartë, ne kurrë nuk kemi parë prova që shtabi i përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar rrëmbime apo ndonjë krim që ka ndodhur në terren”, tha Byrnes.

Byrnes, në fillim të seancës është pyetur lidhur me bisedat që kishte pasur vitin e kaluar me një nga prokurorët e Speciales.

Emmeron, i parashtroi pyetje atij nëse ishte deklaruar lidhur me aktivitetet e jashtme të zbulimit të inteligjencës së Kadri Veselit, kur ishte pyetur nga Specialja, por ai tha se nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.

Byrnes, u shpreh se gjatë kohës së luftës ai kishte dëgjuar për Kadri Veselin vetëm si emër, duke thënë se ishte i respektuar në rangjet e UÇK-së.

“E kishim dëgjuar z. Veseli si emër. Ka qenë një person shumë misterioz sepse na kishin thënë, ose të paktën kishte të dhëna që ai ishte shumë i afërt me Hashim Thaçin dhe se kishin qenë miq të ngushtë që në kohën e studimeve në Universitetin e Prishtinës në fillim të 1990 dhe ai ishte një person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por askush nuk fliste për funksionet dhe rangjet e tij”, tha ai.

“Unë nuk e kam njohur z. Veseli dhe as nuk e kam takuar ndonjëherë dhe si fakt as nuk e kam idenë se çfarë bënte. Ishin përhapur fjalë që ai merrej me veprimtari zbulimi apo inteligjencë”, tha ai.

Ai është pyetur edhe për numrin e zonave dhe përpjekjeve për të ulur numrin e këtyre zonave.

Ndërsa, është pyetur edhe për Halil Bicaj dhe marrëveshjen që ishte nënshkruar me disa pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri, por që dëshmitari tha se “nuk e mban në mend Halil Bicajn”. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Kur do të tërhiqet nga futbolli? Messi flet mbi të ardhmen e tij

Read Next

Hovenier: NATO kishte një imperativ moral për të vepruar, përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm dhe legjitim