Bulliqi gjen në Podujevë 57 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka prezantuar listën me numrin e punëtorëve të angazhuar kundërligjshëm për shërbime të veçanta në administratën komunale dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Kryetari Bulliqi në konferencën për media, tha se pas marrjes së mandatit si kryetar i komunës, bashkë me ekzekutivin që udhëheq, njëri nga problemet që ka identifikuar është edhe angazhimi i punëtorëve për shërbime të veçanta e që bie edhe ndesh me Ligjin e ri për shërbyes civilë.

“Numri i punëtorëve të angazhuar për shërbime të veçanta ishte 57 dhe 20 prej tyre tashmë u ka skaduar kontrata, ndërsa edhe rreth 37 punëtorëve të tjerë do t’u skadojë së shpejti”, tha kryetari Bulliqi.

Në këtë drejtim, kryetari Bulliqi tha se numri më i madh i të angazhuarve me kontratë mbi vepër ka qenë në QKMF, 12 infermiere dhe të cilat kanë bartur barrën kryesore në qendrën anti-Covid.

“Është absurde që në mesin e atyre që janë angazhuar në këtë formë, me kontratë mbi vepër, ka punëtorë që punojnë nga 7-8 vjet, madje edhe mbi 10 vjet. Dhe tashmë, kur punëtorëve të tillë u skadon kontrata ne nuk kemi asnjë bazë ligjore t’ua vazhdojmë ato, sepse biem ndesh me ligjin”, tha kryetari Bulliqi.

“Prandaj është e dhimbshme që dikush që në këtë formë është mbajtur në punë me vite të tëra tani duhet të shkojë në shtëpi, pa fajin e tij, por edhe pa fajin tonë”, tha kryetari Bulliqi

Kryetari Bulliqi tha se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore, duke iu drejtuar ministrive përkatëse, për rekrutimin e punëtorëve të rinj, sipas nevojave të administratës, në mënyrë që disa nga punëtorët që ishin me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen me kontrata të rregullta pune.

Në këtë konferencë, kryetari Bulliqi ndër të tjera përmendi si shqetësues faktin se QKMF së shpejti do të përballet edhe me mungesë mjekësh, për shkak se 10 mjekë do të shkojnë në specializim. / Kosova Press

Read Previous

Barcelona e zhytur në borxhe, deklarohet Koeman

Read Next

Sërish shifra të larta me koronavirus në Shqipëri