Në kohën sa Erhard Buhler, shërbente në Kosovë si komandant i KFOR-it, ishte publikuar raporti i zviceranit Dick Marty, për ish-krerët e UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte.
Buhler në një intervistë për Deutsche Welle thotë se “i kemi shikuar të gjitha arkivat dhe kemi bërë përpjekje që të gjejmë dëshmi konkrete për këto akuza, por nuk kemi gjetur”.
“Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi për këto pohime. Unë i njoh tre prej tyre dhe gjithmonë nisem nga parimi, se secili njeri është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha Buhler.
Ai thekson se procesi gjyqësor po zgjatë shumë, duke shtuar se e përcjellë edhe të gjithë debatin për këtë çështje.
“Është për të ardhur keq edhe fakti që provat kanë qenë kaq të pakta në fillim të procesit, sa që tani prokuroria po detyrohet të bëjë hetime të tjera të shumta pas publikimit të aktakuzës së parë”, shtoi ai.
Ushtaraku ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë duke thënë se KFOR-i është garant për këtë.
“Trupat e KFOR-it janë zvogluar shumë kohët e fundit. Kështu edhe duhet, sepse nuk ka nevojë që atje të qëndrojnë mijëra e mijëra ushtarë të NATO-s. Kjo nuk do të ishte mirë as për imazhin e Kosovës, e nuk do të ishte në përputhje as me gjendjen aktuale të sigurisë atje. Por në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, trupat e NATO-s janë të gatshme për ta evetituar këtë.
Gjenerali Buhler ka folur edhe për gjasat e Kosovës që të pranohet në NATO, duke shtuar se “kjo është një rrugë e gjatë dhe varet nga trasnformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimi i saj drejt një ushtrie, që parashikohet edhe me ligjet e Kosovës”.
“Këtu duhet të kryhen edhe shumë punë në rrafshin strategjik. Sa i përket FSK-së, ajo është shndërruar në një trupë të shkëlqyeshme, por ajo duhet të vendoset në bazat e duhura koncepcionale, të ketë strategjinë e duhur ushtarake dhe të bëhet kompatibël me forcat e NATO-s. Këtu duhet të bëhen edhe disa hapa të tjerë, në radhë të parë sa i përket funksionimit multilateral”.
“Por mendoj se Kosova shpejt do të mund të integrohej në programin Partneritet për Paqe. Por edhe këtu problemi kryesor është që me këtë vendim duhet të dakordohen të gjitha vendet anëtare, pra edhe katër vendet e NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe këtu kërkohet një angazhim më i madh për të bindur këto vende se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor dhe i Kosovës në NATO është në interesin tonë strategjik”. /Albanianpost.com