Duke folur në kuadër të prezantimit të albumit të parë të lojtareve të futbollit nga “Panini”, Gigi Buffon, delegati i kombëtares italiane, komentoi mbi këtë ngjarje: “Është një ditë historike dhe arritje e jashtëzakonshme. Me mënyrën e tyre të ëndërruarit dhe luftës, ato ia dolën ta arrijnë edhe këtë kënaqësi.
Për ne në FIGC (Federata Italiane e Futbollit), të shohim që të gjithë komponentët janë në të njëjtën linjë dhe se është krijuar një empati dhe afërsi e fortë, është diçka që na bën të ndihemi mirë. Jemi pjesë e së njëjtës familje. Ky do të jetë një album që do të bëjë histori”.
Buffon kaloi më pas te kampionati, ku Napoli dhe Interi janë në krye të renditjes: “Mendoj se klasifikimi aktual është një pasqyrim i drejtë i asaj që ekipet kanë treguar deri tani. Prandaj, Interi dhe Napoli do të rivalizojnë për titullin deri në ndeshjen e fundit, është e drejtë që të ndodhë kështu”.
Sa i përket Juventusit, Buffon pranoi se bardhezinjtë po hasin më shumë vështirësi se sa pritej: “Disa vështirësi më shumë se sa pritej kanë qenë të pranishme, por nuk mund të them me siguri se ku qëndron problemi, sepse vetëm ata që janë brenda skuadrës e dinë vërtet se cilat gjëra funksionojnë dhe cilat jo. Nga jashtë shohim vetëm rezultatet”.
Në lidhje me kalimin e Nicolo Fagiolit te Fiorentina, Buffon tha: “Si tifoz dhe si drejtues i kombëtares italiane, nëse Fagioli do të luajë rregullisht, kjo është diçka pozitive për ne, pasi do të kemi një element më shumë. Megjithatë, për historinë e tij, do të kishte qenë më bukur ta shihnim të mbyllte karrierën te Juventusi, por ekzistojnë nevoja dhe prioritete, si për lojtarët, ashtu edhe për klubet”. /Albanianpost.com