Shkalla e papunësisë në vend është rritur në mbi 40 përqind. Kjo rritje ka ndodhur edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Kështu vlerëson kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, sipas të cilit rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur për shkak të pandemisë, me ç’rast humben vendet e punës 10 përqind e punëtorëve në sektorin privat.
Kryetari i BSPK-së, në një intervistë për KosovaPress foli edhe për mos rritjen e pagës minimale nga Qeveria Kurti, për shkarkimin e tij nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe për pagën që ka marr mbi 2 mijë euro në AKP.
Për çështjen e pagës minimale, kryetari i BSPK-së, Ajdini, thotë se për fat të keq kjo qeveri ende nuk ka realizuar premtimin për ngritjen e kësaj page.
Kreu i BSPK-së po kërkon nga Qeveria Kurti edhe njohjen e stazhit të punës për të gjithë ata që u larguan nga puna gjatë viteve të 90-ta.
Kreu i BSPK-së në një intervistë për KosovaPress, ka komentuar edhe vendimin e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Bordit të AKP-së, ku ai ka qenë drejtor i tij.
Ai thotë nuk ka pasur keqpërdorime nga ai Bord, ndonëse e arsyeton pagën e tij të lartë prej 2 mijë e 200 euro në muaj.
Megjithatë, ai thotë se shkarkimi i Bordit do ta neglizhojë ndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve. Sipas Ajdinit një problem tjetër është se në Gjykatën e Odës së Veçantë janë 21 mijë lëndë që presin të shqyrtohen.
BSPK po ashtu kërkon nga Qeveria edhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive, pasi sipas Ajdinit ajo është e gatshme.
Ajdini, i cili ka arrit moshën e pensionimit më 9 shtator të vitit 2019, thotë se nuk ka shkelur asnjë ligj në ushtrimin e detyrës së tij në BSPK dhe AKP.
Ajdini paralajmëron se kongresi i BSPK-së për zgjedhjen e kryetari të ri do të mbahet më 2 tetor.
Paraardhësi i kryetarit Ajdini ka qenë Haxhi Arifi, ku edhe ai ka ushtruar mandatin e tij në pension./KosovaPress