Brunei ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
Kështu ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, më 05.05.2025.
“Sot, së bashku me Sulltanin e Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah nënshkruam marrëveshjen për heqjen vizave ndërmjet Kosovës dhe Bruneit, një hap domethënës drejt afrimit dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy shteteve tona” – shkruan Osmani.
Marrëveshjen për heqjen e vizave, Osmani e ka quajtur urë miqësie e ndërtuar mbi respekt dhe mirëbesim.
Nga dita e sotme, shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë edhe drejt Izraelit pa viza.
Kështu ka njoftuar ditë më parë ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv.
“Nga data 5 maj 2025 vizitorët nga Kosova të cilët kanë një pasaportë kombëtare të vlefshme dhe të cilët planifikojnë të vizitojnë shtetin e Izraelit për qëllime turistike do të përfshihen në listën e vendeve të përjashtuara nga detyrimi për vizë të Izraelit.” – njoftoi ajo në rrjetin social X, më 30.04.2025.
Ajo tregoi edhe detajet që qytetarët duhet t’i dinë para se të nisin udhëtimin drejt shtetit të Izraelit.
“Para udhëtimit për në Izrael të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me një ETA-IL (Autorizim Elektronik për Udhëtim) për të pasur të drejtë hyrjeje në Izrael. Të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët synojnë të udhëtojnë në Izrael duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes së tyre. Një ETA-IL e miratuar do të thotë që ju jeni të lejuar të udhëtoni në Izrael dhe të qëndroni atje për një periudhë deri në 90 ditë për çdo vizitë.” – thuhet në njoftim. /Kallxo.com/