Këto banka nuk do të duhej të ishin bosh. Fatkeqësisht në disa prej shkollave të qytetit të Gjakovës ndodh kështu. Kjo pasi që shumë nxënës kryesisht të komuniteteve joshumicë braktisin shkollimin për arsye nga më të ndryshmet.
Pikërisht për këtë çështje është krijuar Ekipi për Parandalim, Reagim kundër Braktisjes dhe Mosregjistrim (EPBRM), në shkolla e që është funksional pothuajse në të gjitha institucionet edukativo-arsimore. Kryesuesja e këtij ekipi në shkollën “Mustafa Bakija” ka sqaruar procedurat fillestare që duhet ndjekur kur vërejnë që një nxënës nuk është duke vijuar mësimin për kohë të gjatë.
Vetëm gjatë ditës së sotme falë punës së këtij ekipi dy nxënës do t’i rikthehen mësimit brenda javës.
Vetëm në këtë shkollë rreth 200 nxënës apo 20% i përkasin komuniteteve joshumicë. Ndonëse numri i atyre që braktisin bankat shkollore vazhdon të mbetet shqetësues është duke u punuar maksimalisht që këto shifra të jenë sa më të ulta. Nga 61 nxënës sa kanë braktisur shkollimin në vitin shkollor 2020-2021 në komunën e Gjakovës, 39 prej tyre janë kthyer në shkollë.