Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një intervistë për “The Straits Times” – gazetë në gjuhën angleze me bazë në Singapor – ka dhënë disa arsye pse shumica e vendeve në botë nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
Shefi i diplomacisë evropiane nuk ka folur specifikisht për ndonjë shtet të caktuar, megjithatë ka shprehur habinë e tij që shumë shtete në botë nuk po e ndajnë zemërimin e Evropës kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës – disa nuk e kanë dënuar Rusinë e as s’i kanë vendosur sanksione.
“Gjithsej 146 shtete e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kjo është një pjesë e rëndësishme e komunitetit botëror. Por ajo që është e vërtetë dhe pyetja që i bëj vetes është se përse indinjata që ndjejmë në Evropë kundër këtij pushtimi nuk ndahet në të njëjtën mënyrë nga disa vende”, tha Borrell.
Kryediplomati evropian komentoi edhe arsyet pse disa vende e kanë dënuar Rusinë, por s’i kanë vendosur sanksione, ndërsa shtoi se këto shtete dukshëm shfaqin njëfarë ngurrimi për të bërë dallimin esencial ndërmjet agresorit dhe viktimës.
“Për shembull, në Afrikë, ekziston një ndjenjë anti-kolonializmi. Disa vende gjithashtu mendojnë se meqenëse Rusia i mbështeti gjatë luftës së tyre për pavarësi ose kundër aparteidit, ata nuk mund të shkojnë kundër saj. Në Amerikën Latine, ka ende ndjenja të forta anti-imperialiste – se zgjerimi i NATO-s ishte pjesë e problemit”.
Borrell nuk e përmendi, por në mesin e shteteve që s’i kanë vendosur sanksione Rusisë është edhe Serbia, megjithëse ajo votoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit.
Zyrtarët serbë në krye me Aleksandër Vuçiçin vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Kremlinit, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut janë bashkuar me sanksionet amerikane dhe evropiane kundër Rusisë, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus. /Albanianpost.com