Borrell: Përdorimi i veto-s po humb besimin në BE

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në shkrimin e tij të botuar në faqen e Komisionit Evropian, të hënën e 27 qershorit, shpreh mendimin se vendimmarrja me unanimet në BE duhet ndryshuar.

Kjo, sepse, ravijëzon ai, vende unike bllokojnë vendimmarrje të rëndësishme dhe po cenojnë rëndë besueshmërinë tek unioni.

Ai shpreh bindjen se, pas dy vitesh e gjysmë me eksperienca të tilla, është koha për t’u riparë procesi i vendimmarrjes.

“Gjatë viteve, ne kemi parë shumë raste kur shtetet anëtare ishin të ndara për çështje të politikës së jashtme. Por me rëndësi në jetën politike nuk është sesi nis një diskutim, por si përfundon ai”.

Për të, fuqia e sistemit të unionit ka qenë gjithmonë që t’i kthejë ndarjet në marrëveshje.

Dhe, për këtë, ka shumë rëndësi nëse një vendim merret me unanimitet apo me shumicë të cilësuar votash.

“Nëse vendet e dinë paraprakisht se vendimi përfundimtar mund të merret me shumicë votash të cilësuar, ato kanë një nxitje të fortë për të negociuar dhe për të formësuar konsensusin. Nëse ata e dinë se mund të bllokojnë gjithçka, nuk kanë një nxitje për të investuar në një kompromis të shëndetshëm”, shkruan Borrell.

Më tej, ai sjell si shembull dinamikën me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me një vend që bllokon atë që të gjithë të tjerët mund të bien dakord – përsëri me pasoja negative për besueshmërinë dhe ndikimin e BE-së.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor, me të drejtë, kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre të gjykohet sipas meritave të tyre.

“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet qëkurse BE-ja deklaroi në Selanik se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së. Kështu që, një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë të paktën, është e kuptueshme”.

Borrell ravijëzon se ekzistojnë arsye bindëse për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë.

Përgjigjja më e mirë, thotë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, është heqja e peshës së “rregullit të unanimitetit”.

“Është tashmë e mundur, për ta bërë këtë duke përdorur të ashtuquajturin abstenim konstruktiv që është, për shembull, mënyra e linçimit të EULEX Kosova”.

Por ai thekson se ka ende shumë probleme të tjera në politikën e jashtme të BE-së dhe, të heqësh qafe unanimitetin, “nuk është një ilaç”, por ajo që kërkojnë qytetarët.

Ndërtimi i ‘Evropës me dy nivele’

Borrell në deklaratën e tij ka cekur edhe propozimin e presidentit Emmanuel Macron, për krijimin e një Komuniteti Politik më të gjerë evropian.

Sipas tij, lufta po vepron si një përshpejtues i historisë dhe për nga kompleksiteti dhe kërkesat e tij –  zgjerimi i BE-së – është një proces, që kërkon shumë vite.

“Një Komunitet Politik Evropian mund t’u mundësojë vendeve kandidate të marrin pjesë menjëherë në politika të ndryshme të BE-së”. /Albanianpost.com

Read Previous

Temperaturat e larta, IKShPK bën thirrje për kujdes

Read Next

Komandot e FSK-së pjesë e ushtrimeve të garës më të famshme të Ushtrisë britanike ‘Cambrian Patrol 2022’