Borrell: Duhet të merret rreziku për të furnizuar Ukrainën me armët që i nevojiten

“Në një moment do të na duhet të përgatitemi për paqen. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ky moment të vijë. Por kjo nuk është në kundërshtim me nevojën për të mbështetur Ukrainën me mjetet që i nevojiten”. Kështu ka deklaruar, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në një intervistë me spanjollen “elDiario”, për situatën e krijuar në Ukrainë.

Borrell ka theksuar se Perëndimi duhet t’i japë Ukrainës armët e nevojshme jo vetëm për të zmbrapsur, gjë që po bëjnë, por edhe për të rifituar terrenin.

Kështu ai pranoi se vende evropiane janë të përgatitura të dërgojnë tanke të rënda në Ukrainë .

“Unë mendoj se Ukraina ka nevojë për armët luftarake dhe tanket e rënda që ka kërkuar dhe disa vende evropiane janë të përgatitura të japin”, shtoi ai.

Borrell është shprehur se ndihma për Ukrainën nuk është vetëm ushtarake.

“Ne kemi bërë një studim për të parë se sa ka qenë ndihma totale për Ukrainën. Është ndihma ekonomike për të mbajtur vendin në punë, ndihma humanitare, ndihma për refugjatët… Dhe ne i kemi dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake: 3.5 miliardë nga Fondi Evropian dhe më shumë se 7.5 miliardë nga kontributet e shtetit”.

Sipas tij, kjo e bën Evropën donatorin e parë në Ukrainë.

Zyrtari evropian thotë se sa i përket mbështetjes së popullsisë për luftën, statistikat tregojnë se Ukraina ka mbështetje shumë të lartë në luftën e saj kundër agresionit rus.

“Sondazhet e opinionit thonë kudo, përfshirë Spanjën, se mbështetja e opinionit publik është shumë e lartë, megjithëse ka përjashtime si Hungaria, ndoshta”. /Albanianpost.com

Read Previous

Shkatërrohen fabrikat e duhanit të paligjshme në Spanjë

Read Next

Mbyllet pika kufitare në Kullë, shkak reshjet e borës