Për shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Bashkimi Evropian me çdo kusht duhet ta shmang ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij unioni nuk duhet të jap asnjë justifikim Rusisë që të ndërhyjë në jetën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pasi e ardhmja e rajonit është në Bashkimit Evropian.
Borrell, i cili ishte pjesëmarrës në samitin e Procesit të Berlinit, gjatë një video-adresimi ka nënvizuar përsëri dy fjalët të cilët sipas tij janë shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor në këtë periudhë: qëndrueshmëria dhe pajtimi.
“Pra, le të punojmë për të rritur qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor si nga pikëpamja ekonomike, stabiliteti politik dhe qëndrueshmëria ndaj dezinformatave, sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Së dyti, të punohet me ta për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës dhe për të ndërtuar pajtimin mes tyre”, ka thënë Borrell, nga takimi i ministrave të Jashtëm të G7 në Munster të Gjermanisë.
Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, të enjten, kanë nënshkruar tri marrëveshje për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale mes tyre.
Kjo, gjatë punimeve të samitit që po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit këtë të enjte të 3 nëntorit në Gjermani.
Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione.
Konkretisht mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili është dhe organizatori i takimit i ka cilësuar marrëveshjet si një pikë afrimi mes vendeve ballkanike dhe një “përfitim për qytetarët”.
Për të, Procesi i Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë të jesh një “hap më pranë unionit”.
Scholz në fjalën e tij hapëse tha se Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore që qeveria gjermane, nën kancelaren Angela Merkel, inicioi në vitin 2014 kur u mbajt në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor.
Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).
Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i këtij rajoni në BE.
Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.
Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.
Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.
Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.
Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike. /Albanianpost.com