Nga ora 10:00 deri në 12:00 të ditës së enjte, në hyrje-daljet kryesore të Prishtinës u mbajt një protestë e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me pjesëmarrjen e bizneseve nga e gjithë Kosova. Qëllimi i protestës ishte kundërshtimi i mënyrës se si bizneset të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa u përgatitur.
Në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, si hyrja nga Veterniku, Fushë Kosova, Mitrovica dhe Podujeva, u vendosën kamionë dhe automjete të rënda të kompanive protestuese, duke shkaktuar vonesa në qarkullimin rrugor.
Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, e cila kishte lëshuar më herët leje për protestën dhe kishte bërë thirrje për shmangie të rrugëve të bllokuara.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna deklaroi para mediave se nuk janë kundër tregut të lirë energjetik, por që procesi kërkon kohë që bizneset të përgatiten.
“Nuk jemi kundër tregut të lirë, por procesi aktual po zhvillohet me shpejtësi të papërballueshme për bizneset. Kërkojmë një periudhë të tranzicionit prej të paktën një viti. Brenda një muaji nuk ka kushte për përgatitje”, tha Rafuna.
Ai gjithashtu kritikoi faktin se aktualisht në treg ekziston një situatë që ai e quajti “monopol të heshtur”, pasi furnizuesi i vetëm i energjisë është KEDS.
Në protestë foli edhe biznesmeni Berat Mustafa, i cili e cilësoi të papërballueshme rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ne kemi marrë ofertë me çmim 265 euro për megavat. Në rajon çmimi nuk i kalon 130 euro. Si mund të konkurrojmë me prodhuesit e rajonit me këtë kosto të lartë? ”, tha ai, duke paralajmëruar pasoja të rënda për prodhuesit vendorë nëse nuk merren masa.
Sipas organizatorëve, qëllimi i protestës nuk ishte të dëmtohen qytetarët, por të mbrohen bizneset dhe standardi jetësor i përgjithshëm në vend.
Pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka drejtuar kritika ndaj Odës Ekonomike të Kosovës duke ju thënë se “Shtyrja e tregut të energjisë do të rrisë faturat e qytetarëve”, reagoi kryetari i Dhomës së Tregtisë në Kosovës, Skender Krasniqi.
Ai tha se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për shtyrje të kalimit në treg të lirë të energjisë.
“Ashtu siç paska deklaruar kryeministri që nuk do të tërhiqen edhe ne po i tregojmë që nuk do të tërhiqemi”, ka thënë Krasniqi.
Edhe afaristi, Burim Piraj ka thënë se janë pro liberalizimit të tregut të energjisë, por me një çmim më të lirë.
“Ne jemi pro liberalizimit të tregut të lirë të energjisë elektrike për arsye se kur është krijuar ligji, kur është miratuar ligji, qëllimi ka qenë që bizneset të kenë mundësi të blejnë energji ma lirë. Edhe qëllimi është i blerjes së energjisë më lirë. Atëherë jemi pro liberalizimit të tregut, mirëpo liberalizimi aktual nuk mund të quhet liberalizim kur kemi vetëm një ofertues për furnizim me energji elektrike. Edhe ofertuesi i ka çmimet enorme. E ka një kontratë me KEK-un, KEK-ut që ia blen 25.5 euro megavatin e energjisë elektrike, nga ana tjetër e ofertën në treg me një çmim gati dhjetëfish më të lartë se sa që e blenë”, deklaroi ai.
Po ashtu disa nga protestuesit mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Kur shteti harron ekonominë reale, shkatërron shpresën kolektive”, “Ulni Barrën mbi biznese”, etj.
Ndërkaq, policia njoftoi se protesta ishte e paralajmëruar dhe u mbajt në koordinim me autoritetet, duke respektuar kushtet e vendosura për mos-bllokimin total të rrugëve. /Telegrafi/