Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se sa i përket bllokomit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës për shkak të asociacionit, Gjermania ka qenë më e butë se Franca.
“Ndryshe nga Parisi, Gjermania ka qenë më e butë në kushtëzimin për aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës. Nëse Berlini do të vazhdojë me këtë politikë për Asociacionin – në mungesë të një kuadri strategjik – mbetet për t’u parë, dhe do të varet nga ajo nëse do të ketë kthesë strategjike në politikën ndaj dialogut”, ka thënë ai.
Weber ka thënë se pret që marrëdhëniet Kosovë- Gjermani të mbesin të qëndrueshme.
“Pres që marrëdhëniet bilaterale të mbeten të qëndrueshme. Me suksesin e socialdemokratëve, që kundërshtuan bashkimin e ministrisë së Zhvillimit me atë të Punëve të Jashtme gjatë negociatave për koalicion, u kufizua automatikisht mundësia për të ulur fondet për ndihmën zhvillimore në përgjithësi – përfshirë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një sinjal i rëndësishëm, veçanërisht në kohën kur USAID-i [Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar] është tërhequr, dhe disa vende të BE-së kanë ulur ndjeshëm ndihmën.”/express/