Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka kritikuar Hungarinë për bllokimin e 18 miliardë eurove të ndihmës financiare të BE-së për Ukrainën.
Ajo theksoi se Budapesti nuk duhet të “luaj poker” në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Brukselin.
Deklarata e Baerbock u bëri jehonë thirrjeve të disa diplomatëve të BE-së që akuzuan qeverinë e kryeministrit, Viktor Orban, për shantazh.
Komisioni Evropian propozoi të mërkurën një paketë mbështetjeje prej 18 miliardë eurosh për të ndihmuar Ukrainën të mbajë në këmbë ekonominë dhe shërbimet publike gjatë gjithë vitit të ardhshëm dhe për të rivendosur infrastrukturën kritike të shkatërruar nga sulmet me raketa ruse dhe dron kamikaze.
Në një takim të ambasadorëve të BE-së, gjithashtu të mërkurën, Hungaria tha se nuk mund të mbështeste paketën e ndihmës.
Kjo krijon një pengesë potencialisht fatale pasi paratë për Ukrainën nuk mund të rrjedhin pa mbështetjen e të 27 vendeve të BE-së për shkak të rregullave buxhetore që kërkojnë unanimitet.
Vendimi i Hungarisë ka krijuar zhgënjim në Bruksel, Berlin dhe kryeqytete të tjera të BE-së.
Katër zyrtarë dhe diplomatë të BE-së në kushte anonimati thanë për prestigjiozen “POLITICO” se ata e shohin bllokimin e ndihmës për Ukrainën nga Budapesti si një taktikë shantazhi për të krijuar presion për të liruar mbi 13 miliardë euro të fondeve të BE-së për Hungarinë.
Këto të fundit mund të pezullohen muajin e ardhshëm nëse vendi nuk adreson mjaftueshëm shqetësimet e kahershme.
“Jemi në një situatë ku po shpëtojmë jetë pikërisht me mbështetjen financiare nga Evropa”, tha Baerbock, e cila po fliste në një konferencë për shtyp me homologun e saj suedez, Tobias Billström në Berlin.
Të martën, Ministri i Financave i Hungarisë Mihály Varga kërkoi të justifikonte kundërshtimin e Hungarisë ndaj paketës së ndihmës së BE-së.
“Hungaria është e gatshme të mbështesë Ukrainën, por ne nuk dëshirojmë të kontribuojmë në ndonjë hua të re që do të merret nga BE-ja”.
Hungaria është nën presion financiar në rritje pasi BE-ja po kërcënon të pezullojë rreth 7.5 miliardë euro fonde për vendin nën një mekanizëm që lidh pagesat e buxhetit me standardet e sundimit të ligjit. /Albanianpost.com