Avokati Arianit Koci ka komentuar sërish situatën politike në vend, ku pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, institucionet e reja ende nuk janë krijuar.
Koci në postimin e tij ka kërkuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Prandaj, ndërrimi i kandidaturës – në rastin tuaj – nuk është humbje e betejës politike. Përkundrazi – është fitore. Madje fitore e madhe, sepse po e jepni një zgjidhje kreative, po e shtyni procesin përpara, po e çoni shtetin drejt funksionalitetit”, ka shkruar Koci.
Më poshtë reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Z. Albin Kurti,
Ngulmi me Albulena Haxhiun nuk është më bindje politike, as e drejtë e fituar në zgjedhje.
Është kapriçio personale – që po e mban peng Kuvendin e Kosovës, po i ngrin proceset dhe po i djeg milionat e popullit.
Paraliza është totale: përfaqësimi politik nuk funksionon, ekonomia është e ngujuar, shteti po mrizon.
Ju keni mundësi me e zhblloku këtë situatë.
Keni fuqi, keni ndikim.
Sepse kjo tashmë nuk është më përballje me kundërshtarët politikë.
Është bllokim i qëllimshëm institucional.
Dhe pasojat po bien mbi shtetin. Mbi qytetarin.
E populli po sheh. Po kupton. Po mban mend.
Në anën tjetër, me fitoren në zgjedhjet e fundit dhe me pozicionin që e keni sot, ju takon juve me e marrë rolin përbashkues.
Nuk është më koha për inate personale, as për ngulm në kandidatura që nuk i kanë votat e duhura.
Sepse mbi të gjitha – me opozitën nuk jeni në armiqësi.
Janë kundërshtarë politikë, por janë deputetë të këtij vendi – me të njëjtin legjitimitet nga qytetarët, si ju.
Thellësisht besoj që qëllimin e keni të njëjtë, të gjithë ju – pozitë e opozitë:
Ta forconi shtetin dhe t’ua siguroni qytetarëve një jetë më të mirë.
Prandaj, ndërrimi i kandidaturës – në rastin tuaj – nuk është humbje e betejës politike.
Përkundrazi – është fitore. Madje fitore e madhe, sepse po e jepni një zgjidhje kreative, po e shtyni procesin përpara, po e çoni shtetin drejt funksionalitetit.
E këtë mund ta bëjë vetëm një burrështetas – dikush që është mbi mentalitetin primitiv të kasabasë sonë politike.
Merreni përgjegjësinë që e keni. Ndryshojeni kandidaturën dhe zhbllokojeni Kuvendin.
Mos e bëni Kosovën kolateral të kokëfortësisë.
Unë, si qytetar i këtij vendi – si njeri që ia don të mirën Kosovës dhe nuk ka atdhe tjetër – nuk do të ndalem.
Do të kërkoj përditë dhe pa kompromis, që Kuvendi të funksionalizohet.
Ndryshe, avokati Koci ka protestuar disa herë para Kuvendit, ku edhe ka kërkuar nga deputetët të gjejnë një zgjidhje për ta zhbllokuar situatën. /Telegrafi/